Aktualitet Maratona e Tiranës, rritet interesi nga të huajt

Maratona e Tiranës, rritet interesi nga të huajt

700 vetë janë regjistruar deri këtë të mërkurë për maratonën  e Tiranës, e cila mbahet për të dytin vit radhazi më 15 tetor.

Tashmë ky organizim i bashkisë është i certifikuar zyrtarisht dhe i njohur ndërkombëtarish nga International Association of Athletics Federations dhe Association of International Marathon and Distance Race.

Bashkia e Tiranës bën të ditur se është mjaft i madh interesi i të huajve për tu bërë pjesë e kësaj maratone. Aplikantët që janë regjistruar deri më tani janë sportistë profesionistë, por një numër i madh i tyre janë edhe vrapues amator që ushtrojnë vrapimin individualisht. Një interes të madh mësohet se ka pasur edhe nga shtetas të huaj, të cilët gjithashtu kanë shfrytëzuar mundësitë e ofruara online për tu regjistruar në këtë ngjarje sportive me përmasa ndërkombëtare.

Edhe këtë vit Maratona e Tiranës do të garojë në disa kategori si: “Fun Run” ku nxënës të shkollave Tiranës do të vrapojnë në rrugët e Tiranës, ku veç mesazhit për një jetë më të shëndetshme përmes sportit synohet që të evidentohen edhe ata që mund të jenë atletët e ardhshëm. Maratona duke përmbushur të gjitha kriteret ndërkombëtare, do të ofrojë mundësi edhe për personat me aftësi ndryshe, të cilët do të garojnë në kategorinë “We too”. Përveç këtyre dy kategorive amatore dhe me distanca të kufizuara, Maratona e Tiranës do jetë një sfidë edhe për sportistët e vërtetë të cilët do të garojnë në “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.