Sport Marchisio: Del Piero, lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur....

Marchisio: Del Piero, lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur. Dybala e meriton nr. 10

Pas 25 vitesh karrierë me fanellën e Juventusit, Claudio Marchisio u largua verën e 2018-ës nga klubi bardhezi dhe pas një aventure në kampionatin rus, tani po punon për një shoqëri konsultimi dhe menaxhimi të imazhit sportiv.

Në një intervistë për mediat italiane, ish-mesfushori i Juventusit ka treguar eksperiencën e tij me klubin bardhezi, ndërsa ka komentuar edhe rëndësinë e trajnerëve si Deschamps, Ferrara e Conte, për ecurinë e karrierës së tij.

Dybala

Claudio Marchisio beson se Paulo Dybala është një nga lojtarët më të mirë që ka veshur fanellën ikonike nr.10 të Juventusit. Soji i Alessandro Del Piero-s, Roberto Baggio-s dhe Michel Platini e kanë përfaqësuar, po ashtu, këtë fanellë emblematike gjatë gjithë historisë bardhezi. Dyshimet e sezonit të kaluar mbi të janë fashitur aktualisht, sepse nën drejtimin e Maurizio Sarri ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 11 asiste, me “Zonjën e Vjetër” duke luftuar për sukses në tri fronte.

Marchisio, një ish-bashkëlojtar me argjentinasin në Torino, ka mbetur i impresionuar nga kthesa e Dybala. Madje, mendon se ai e meriton numrin 10 mbi shpinë. “Paulo është ndër pesë më të mirët e Juventusit me numrin 10, – tha ai për DAZN. – Më bëri shumë përshtypje rritja progresive e Rodrigo Bentancur, jam i lumtur me rikthimin e Dybala. Ai po tregon, si më parë, se është vërtet kampion”.

A do t’i pëlqente që të luante me Ronaldon?

“Sigurisht, do të më pëlqente të luaja me Ronaldon. Gjatë asaj vere, kur CR7 mbërriti te Juventusi, shumë më thanë se nuk mund të largohesha. Sidoqoftë, zgjedhjet e jetës nuk mund të lidhen me lojtarët që vijnë. Cristiano ka rritur pritshmëritë e Juventusit”.

Trajnerët

“Deschamps ishte i pari që besoi te unë, në vitin e vështirë në Serinë B, ndërsa me Ferrarën krijova një identitet timin, duke luajtur mesfushor anësor në një rreshtim me 3. Më pas erdhi Conte që na mësoi se çfarë është shpirti juventin, duke na rikthyer te fitimi i titujve. Conte ishte një nga trajnerët më të rëndësishëm gjatë karrierës sime. Ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por për të gjithë. Ai solli përsëri shpirtin e vërtetë të Juventusit tek ne lojtarët, pas viteve të errëta të “Calciopoli”. Na bëri të fitojmë jo vetëm në fushë”.

Më pas mesfushori zbuloi se ka qenë Fabio Capello ai që e ka grumbulluar për herë të parë me skuadrën e parë, ndërsa tregoi se Del Piero është lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur gjatë karrierës së tij te Juve.

“Për herë të parë më grumbulloi Capello dhe stërvitesha deri vonë në mbrëmje, ndaj kishte raste kur nuk shkoja në shtëpi, por flija në makinë. Një herë më zgjoi boria e makinës së Del Pieros, pasi po flija në makinë, brenda parkimit. Ishte lojtari më i madh që kam pasur për shok skuadre, ndonëse do të doja të kisha luajtur edhe me Ronaldon”, deklaroi ish mesfushori bardhezi.