Sport Marchisio: Juventus, merr Pogba dhe Icardi-n

Marchisio: Juventus, merr Pogba dhe Icardi-n

| Nga American Eye
Shpërndaje

Nëse Marchisio do të kishte një buxhet të pakufizuar në dispozicion, për merkaton e Juventusit, ai do ta shpenzonte një pjesë të mirë të parave për kthimin e Pogba: “Juventusi do të kishte nevojë për një mesfushor si ai, për t’i dhënë më shumë shtysë në fazën sulmuese. Pastaj, sinqerisht nuk e kuptova kurrë zgjedhjen e tij për të shkuar në Manchester, ku tashmë kishte qenë. E kuptoj, janë paratë në mes, por nëse mendonte për një evolucion të karrierës së tij, atëherë duhej të zgjidhte Spanjën”.

“Princi”, sikurse e kishte nofkën si lojtar bardhezi, shpreson që Dybala të qëndrojë te Juventusi dhe të mos sakrifikohet në merkato. Dy fjalë i ka edhe për blerjen e mundshme të Icardit: “Unë jam i çmendur për Paulon, shpresoj të mos shitet kësaj vere. Ky do të ishte gabim, sepse ka talent të madh. Icardi? Është një Trezegue i ri, sinonim i golave. Ashtu si Davidi është shumë i varur nga ekipi. Icardi dhe Dybala do të bënin një çift të mahnitshëm në fushë. Megjithatë, Mauro duhet t’i përshtatet Juventusit dhe stilit të tij”.

Lamtumira e De Rossit nga Roma, e njoftuar prej vetë futbollistit ikonë të verdhekuqve kryeqytetas, ka shkaktuar jo pak polemika në futbollin italian.

Mes tyre ka pasur edhe të befasuar nga ky “divorc” i papritur mes palëve. Ndër të goditurit nga ky lajm ka mbetur Claudio Marchisio, i cili zbuloi se ishte përpjekur ta bindte atë të shkonte në Torino, te Juventusi, në kohën e përbashkët te kombëtarja axurre: “Unë e admiroj aq shumë, sepse është e vështirë të qëndrosh në të njëjtën skuadër për shumë vite, të ripërtërish stimujt, të marrësh gjithçka që është e mirë, por edhe gjithçka tjetër, që është më pak e mirë. Ai është një njeri i madh. Jemi munduar ta bindnim të vinte te Juventusi bashkë me Gigi Buffon dhe Giorgio Chiellini, kur grumbulloheshim me kombëtaren, por në zemrën e tij ishte vetëm Roma”.