Sport Marotta shtyn vendimin për të ardhmen e Icardit dhe konfirmon Spallettin!

Marotta shtyn vendimin për të ardhmen e Icardit dhe konfirmon Spallettin!

Administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta në një intervistë për Rai Sport, ka shtyrë çdo vendim lidhur me të ardhmen e Mauro Icardit për në fund të sezonit:

“Vlerësimet do të bëhen në momentin e duhur, për ne është një lojtar i rëndësishëm por përcaktuese do të jetë edhe dëshira e tij”, theksoi Marotta, i cili më pas u ndal të fliste edhe për trajnerin aktual të zikaltërve Luciano Spalletti:

“Është e drejtë që t’i japim besim Spallettit, ka krijuar një strukturë në skuadër, zërat për Conten lindin nga fakti që ai është një trajner fitues dhe është në merkato, por Spalletti ka edhe dy vite kontratë me Interin”, deklaroi administratori i deleguar.

Por edhe pse Marotta konfirmoi edhe njëherë tjetër Spallettin, mediat italiane janë të bindura se në fund të sezonit trajneri i ri klubit zikaltër do të jetë pikërisht Antonio Conte.