Bota Marrëveshja e armatimit, SHBA rrit presionin ndaj Turqisë

Marrëveshja e armatimit, SHBA rrit presionin ndaj Turqisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë Turqisë një afat deri në fund të korrikut, për të hequr dorë nga blerja e sistemit me raketa kundërajrore ruse, S-400. Në të njëjtën kohë, Pentagoni ka bërë të ditur, se do të vendosë sanksione, nëse qeveria në Ankara, nuk e përmbush këtë kërkesë. Në rast nevoje të gjithë pilotët turq, që aktualisht trajnohen për përdorimin e avionëve luftarakë të NATO-s, F35 do të largohen nga SHBA, paralajmëron Pentagoni. Përveç kësaj do të mbyllet për firmat nga Turqia rruga e pjesëmarrjes në konstruktimin e avionëve F35.

Ministri amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan tha para gazetarëve, se ai e ka informuar me shkrim, homologun turk, Hulusi Akar. Turqia nuk ka për të marrë as avionë F35, nëse nuk ndërron kurs, theksoi Shanahan. Qeveria turke ka porositur qindra avionë të tipit F35 që prodhodhen nga koncerni amerikan, Lockheed Martin.

SHBA dhe anëtarë të tjerë të NATO-s frikësohen, se Rusia përmes sistemit S-400 do mund të marrë informacione për avionët e aleancës perëndimore. Uashingtoni preferon, që Ankaraja në vend të raketave ruse, të marrë sistemin amerikan, Patriot.

Presidenti turk, Erdogan këmbëngul në marrëveshjen me Rusinë. Qeveria e tij nuk ka ndërmend të “tërhiqet”, deklaroi Erdogani në javën që po përfundon. Moska i ka bërë vendit të tij një ofertë më të mirë, argumentoi ai. Raketat e para kundërajrore ruse pritet të dërgohen në dy muajt e ardhshëm, bëri të ditur, kreu i koncernit shtetëror rus të armatimit, Rostec, Sergej Tshemesov. Me Turqinë gjithçka po ecën “në rrugën e duhur.”