Politika Marrëveshja me banorët e “Unazës së Re”, Basha premton vlerësimin e banesave...

Marrëveshja me banorët e “Unazës së Re”, Basha premton vlerësimin e banesave kur të marrë pushtetin

Partia Demokratike firmosi me banorët e Unazës së Re një kontratë, ku shprehet mbështetja e opozitës për protestën e këtyre banorëve në mbrojtje të shtëpive të tyre.

PD, e cila e konsideron kriminale prishjen e tyre angazhohet për dy masa: rishikimin e projektit, dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut.

Afati që vendos PD është legalizim brenda 6 muajsh nga momenti i ardhjes në pushtet dhe pezullim për legalizimin të pronave që preken nga projektet publike, duke i dëmshpërblyer me vlerën e tregut.

Ndërsa pika tjetër, që është edhe pika e gjashtë dhe e fundit e kontratës, ka të bëjë me angazhimin e PD për të ndëshkuar çdo akt korruptiv me Unazën e Re.

“Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private për përfshirjen në aferën e prishjes së banesave të qytetarëve në Unazën e Re, pa u garantuar atyre një shpërblim të drejtë dhe në vlerën e tregut për pronat e tyre private, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar.”- thuhet në kontratën mes PD dhe Grupimit të banorëve të Unazës së Re, ku bëjnë pjesë edhe banorë të prekur nga devijimi i Lumit të Lanës.