Bota Marrëveshja me Emiratet, Izraeli e cilëson “historike”, palestinezët e konsiderojnë “tradhti”

Marrëveshja me Emiratet, Izraeli e cilëson “historike”, palestinezët e konsiderojnë “tradhti”

Kanë qenë të ndryshme reagimet për marrëveshjen e të enjtes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve. Një ndër kushtet kryesore për arritjen e kësaj marrëveshjeje ishte ndalimi i procesit të aneksimit të territoreve palestineze në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pranoi.

Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kjo marrëveshje nis një epokë të re në marrëdhëniet e vendit të tij me vendet arabe. Të tillë e konsideroi edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha se tashmë edhe palestinezët do të gjejnë më në fund paqe.

Por nuk mendojnë kështu përfaqësuesit politikë të palestinezëve. Zëdhënësi i kreut të autoritetit palestinez, në një deklaratë për mediat e quajti tradhti nga ana e Emirateve të Bashkuara, përfshirjen e çështjes së Palestinës në marrëveshjen dypalëshe me Izraelin.

Sipas tij, kjo marrëveshje anashkalon kërkesat reale të palestinezëve. Më i ashpër në deklarata ishte një zëdhënës i Hamasit, organizatës politike që dominon në Rripin e Gazës, i cili tha se nuk mund të bëhen marrëveshje me pushtuesit.

Egjipti ishte i vetmi që përshëndeti marrëveshjen. “Ndoqa me interes të madh dhe vlerësim deklaratën trepalëshe mes SHBA, Emirateve dhe Izraelit, që ka si qëllim ndalimin e aneksimit të territoreve palestineze nga shteti hebre”, shkroi në Twitter presidenti Abdelfattah Elsisi.

Analistët thonë se kjo marrëveshje është përpjekje si e Netanjahut ashtu edhe e Trump-it për të rritur mbështetjen në elektoratet e tyre, pas goditjeve që i dha keqmenaxhimi i krizave të pandemisë në vendet përkatëse. Emiratet e Bashkuara janë vendi i tretë i botës arabe që nënshkruajnë marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh me Izraelin, pas Egjiptit dhe Jordanisë.