Bota Marrëveshje e rrallë SHBA-Iran, shkëmbejnë dy të burgosur

Marrëveshje e rrallë SHBA-Iran, shkëmbejnë dy të burgosur

Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen dy të burgosur, pasditen e së shtunës, në një akt shumë të rrallë mes ty vendeve, marrëdhëniet e të cilëve janë përkeqësuar që pas nisjes së presidencës së Donald Trump.

Irani la të lirë Xiyue Wang, një shtetas amerikan që mbahej prej 3 vitesh i burgosur nën akuzën për spiunazh, ndërsa SHBA liroi Massoud Soleimani, i cili akuzohej për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se me këtë lëvizje Uashingtoni shpreson të nisë bisedime të mëtejshme me autoritetet iraniane për lirimin e të tjerë të burgosurve si dhe të diskutojë për çështje të tjera.

I gjithë ky shkëmbim u ndërmjetësua nga Zvicra. Ministi i jashtëm iranian, Javad Zarif e priti Massoud Soleimanin në Zyrih, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi special i SHBA, Britan Hook.

Presidenti Donald Trump falenderoi Teheranin zyrtar në Twitter për këtë akt, duke e konsideruar shkëmbimin e dy të burgosurve si një “negociatë të drejtë”. Ai e cilësoi ngjarjen një dëshmi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të arrijnë një marrëveshje nëse kanë vullnet. Në një postim të mëparshëm. Trump falenderoi dhe qeverinë zviceriane që ndihmoi në negociatat për lirimin e Wang.