Extra Martesa përballë një vajze beqare (shqiptare) në të 30-at e saj!

Martesa përballë një vajze beqare (shqiptare) në të 30-at e saj!

Nga Anisa Hysesani

Ndonëse vitet ikin, mentaliteti, zakoni dhe kuadrati i mirëfiksuar i funksionimit shoqëror, bën që vajzë, pavarësisht botëkuptimit, intelektit, pavarësisë ekonomike, në një lloj mënyre, të zgjedhë sipërfaqësisht e lirë, por kurrë mos të jetë vërtetë e lirë, e mirëpritur dhe në rrethanat e saj, nëse këto nuk përputhen me pritshmëritë dhe zakonet e shoqërisë dhe/ose familjes. Shoqëria dhe familja, si dy kontekste të pashmangshme në përditshmërinë tonë, pa ekzistencën e të cilëve patjetër që do cënohej në mënyrë të konsiderueshme cilësia e jetës tonë, në faza të caktuara, na caktojnë detyra të caktuara (të thëna, ose të nënkuptuara). Sidomos për një femër (i hidhur, por realitet), në shoqërinë shqiptare, ende është problem i madh moszbatimi i kornizave të asaj çfarë quhet “e duhur”. Si rrjedhojë, duke dashur ta shpjegoj fenomenin dhe me pak dozë humori, po përshkruaj pesë situata, që besoj çdo vajzë beqare në të 30-at e saj në Shqipëri, nuk ka shpëtuar pa i dëgjuar/përjetuar:

1/ “Shumë mirë që rritesh profesionalisht, por s’do kapësh qiellin me duar, hajde gjej burrin tani!”

Të është dashur mund, sakrifica, orë të tëra pa gjumë për të studiuar dhe aplikuar për punë! Madje edhe je zhgënjyer shumë, sepse rrugës tënde profesionale, i janë vendosur në mënyrë konstante, pengesa që shkaktojnë mosrealizimin e pritshmërive  por prapë nuk je dorëzuar, ke ecur përpara ti dhe “budallallëku yt”, që bërtet gjithë kohës se mund t’ia dalësh mbanë! E në fund? – Në fund çdo gjë ka rëndësi, por ja pa gjetur ATË-BURRIN!

2/ “Dil, tako ndonjë, kur e ke ndërmend të njohësh ndonjë, akoma kështu do rrish ‘tra la la’?”

Je totalisht e aftë e vetes, nuk shqetëson asnjë, je rehat me çfarë të rrethon dhe me çfarë të ofron jeta jote momentale, por prapë: shoqet u martuan, u bënë me fëmijë, po ti?! Pra ti je krahasim, të tjerët kanë, gjëra që ti nuk i ke!

3/ Sa herë ka fejesa, martesa, lindje është stres më vete, sepse kujt nga ne, në një situatë të tillë, nuk i ka qëlluar t’i thonë: Hajt në kokën tënde tani, mos prit më, e sheh sa mirë filania e fisteku?

E përsëris, ndonëse ti je shumë rehat me veten tënde, e pamundur që mos të të vënë në pozitën e asaj që s’ke kryer një detyre shoqërore të rëndësishme dhe që koha PO TË MBARON. TI, sipas gjithë të tjerëve, ke një kohë dhe ajo po të mbaron! PANIKU ndërkohë aktivizon kthetrat!

4/ Takon një mikeshë të vjetër, e cila është fejuar, martuar e ka krijuar familje…

Pasi kalon shumë pak momente, pa u bërë qendra e vëmendjes për jetën personale, veç kur ja beh fjalia: Shoqe “hidhu në sulm” moj, çfarë pret? Njësoj janë të gjithë, por “hidhu e kape një”, mos rri me shumë pretendime, se do ngelesh pa gjë! Kthehemi ku ishim! Janë njësoj, s’ke shpresa për dikë sipas pritshmërive të tua, ndaj kot ke kaluar në pritje të njeriut të duhur, gjithë këto vite!!!

5/ E fundit, por jo për nga rëndësia dyshja gjyshe-mama:

Të gjithë e kemi një gjyshe, e cila s’vdes dot, pa u martuar ti (më përpara nuk vdiste pa mbaruar shkollën ti, pa u punësuar ti etj.), si dhe një mama e cila të thotë në mënyrë konstante , se ti nuk je “e mbaruar” dhe se të ka mami dritë! (nënkuptimi është: hë kur do e gjesh?).

Besoj, që të gjitha vajzat në këtë situatë, janë sikletosur jo pak herë dhe mund të kenë vënë në diskutim zgjedhjet dhe rrugën e tyre, duke nënvlerësuar çfarë kanë arritur dhe veten e tyre! Ndonëse, as nuk diskutohet, që njerëzit që na shtyjnë drejt një finalizimi të tillë, në thelb kërkojnë vetëm të mirën dhe lumturinë tonë (sigurisht, duhet të kuptojnë që dhe vetë ne, po atë gjë kërkojmë, ndoshta edhe më shumë se të lartpërmendurit). Por çfarë duhet të kuptojmë pikë së pari ne dhe në vijim të gjithë ata që na rrethojnë, është se çdokush prej nesh ka atë që quhet “ora personale”, për realizimin e çdo etape shoqërore e personale. E nëse ndonjë gjë nuk arrihet kurrë, nuk është fundi i botës, sepse rrugët, misionet dhe destinacioni i çdokujt prej nesh është unik dhe jo çdokush vrapon drejt të njëjtës gjë, në të njëjtën kohë, madje ka të drejtën e shenjtë, që nëse e sheh të arsyeshme, edhe të mos vrapojë kurrë drejt diçkaje, që konsiderohet e duhur nga shumica, por jo nga ajo! Vajzani (të çfarëdolloj moshe), ju siguroj që nëse do doni veten, dhe do realizoni veten, çdo gjë tjetër: ËSHTË DUKE ARDHUR DREJT RRUGËS TUAJ!