Aktualitet Masa të reja për dy javë, çfarë do të ndodhë nëse infektimet...

Masa të reja për dy javë, çfarë do të ndodhë nëse infektimet nuk ulen?

Duke nisur nga dita e enjte, në vendin tonë hyjnë në fuqi masat e reja antiCovid, që parashikojnë kufizimin e lëvizjes nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, mbylljen e bizneseve përgjatë këtij fashë orari, si dhe mësim online për shkollat e mesme në qarqet me risk të lartë.

Këto masa të prezantuara këtë të mërkurë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve do të jenë në fuqi për 2 javë. Por çfarë do të ndodhë pas këtij dyjavëshi. A rrezikojmë të shkojmë në masa më strikte në ditët në vijim, nëse numri i infektimeve nuk ulet?

Në një lidhje me emisionin “Opinion”, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha gjithçka do të varet në zbatimin ose jo të këtyre masave përgjatë kësaj kohe.

“Masat do të qëndrojnë 14 ditë, këto dy javë do të jenë javë vendimtare dhe ndaj kërkohet nga të gjithë një sakrificë. Janë dy javë, kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh. Zbatimi i masave, të atyre që kemi patur dhe atyre që fillojnë nesër, duke filluar nga orari i kufizimit në orën 8 të darkës deri në 6 të mëngjesit, nga kufizimi i bareve-restoranteve… Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme dhe mënyra sesi ne do të reagojmë në këto dy javë do të jenë përcaktuese nëse do të kemi një shtrëngim të mëtejshëm, apo do të kemi një lehtësim të tyre”, tha Manastirliu.

“Rasti i shqiptares me mutacionin e Covid nuk ekziston”, Manastirliu: Kemi dyshime të arsyeshme që…

Disa ditë më parë në mediat gjermane u raportua se një shqiptare, e cila kishte hyrë në Gjermani nëpërmjet Rinasit, kishte rezultuar me mutacionin e ri të Covid. Por këtë të mërkurë, ministrja Ogerta Manastirliu, mohoi që ky rast të ketë ekzistuar.

Ajo u shpreh se nga informacionet e marra nga Instituti Robert Koch në Gjermani nuk ka të dhëna zyrtare që një shqiptare të ketë qenë e infektuar me mutacionin e ri. Ministrja e Shëndetësisë tha ndër të tjera se përveç virusit po luftohet edhe me infodeminë.

“Më lejoni të them diçka. Në fakt ne jemi duke bërë dy luftëra paralel, po luftojmë me virusin, dhe jemi duke luftuar me infodeminë. Rasti që ka dalë në një media gjermane dhe më pas është dhënë në mediat tona në një konfirmim zyrtar që kemi marrë nga instituti Robert Koch më të cilin ISHP është në një lidhje periodike nuk ka pasur asnjë të dhënë zyrtare që ky rast të ketë ekzistuar. Nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare nga instituti Robert Koch që ky rast të ekzistojë”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se një nga arsyet që bëri ekspertët që të forconin masat ishte edhe dyshimi i arsyeshëm që në Shqipëri të kenë hyrë variantet e reja të Covid.

“Jo, kemi dyshime të arsyeshme nga laboratori i virologjisë i ISHP-së që në Shqipëri ka probabilitet të qarkullojnë këto variante. Kemi dyshime të arsyeshme për shkak të sinjaleve laboratorike po ashtu lidhur me prekjen e fashës së grupmoshave të reja gjatë kësaj periudhe. Janë një seri situatash që na kanë çuar në këtë vendimmarrje”, tha Manastirliu.