Bota Masakër në një universitet rus, 8 të vdekur dhe 24 të plagosur....

Masakër në një universitet rus, 8 të vdekur dhe 24 të plagosur. Studentët hidhen nga dritaret

Të paktën 8 persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën pasi një person hapi zjarr brenda ambienteve të Universitetit Shtetëror në qytetin Perm, të hënën.

Një person i veshur me të zeza, dhe i armatosur rëndë, me pushkë dhe dhjetëra fishekë, hapi zjarr brenda ambienteve të universitetit, thanë autoritetet ruse dhe drejtuesit e institucionit arsimor.

Mediat ruse raportuan se disa studentë dhe mësues u mbyllën nëpër klasa për t’i shpëtuar plumbave, ndërsa në pamje të tjera të shpërndara online, shihen disa studentë që hidhen nga dritaret e godinës, për të shpëtuar.

Sipas hetuesve, personi i dyshuar si autor i sulmit tragjik është arrestuar dhe është identifikuar si Timor Bermansurov, 18-vjeç, ish student i Drejtësisë.

Disa media ruse botuan edhe disa imazhe të të riut i mbuluar dhe i armatosur që ai vetë i kishte postuar në rrjetin social rus Vkontakte. “Urrej veten time, por dua ti bëj keq çdokujt që më del përpara”, kishte shkruar, duke pohuar se nuk është anëtar i asnjë organizate terroriste.