Bota Masakër në Suedi! 10 viktima nga sulmi në shkollë, vetëvritet autori

Masakër në Suedi! 10 viktima nga sulmi në shkollë, vetëvritet autori

Të paktën 10 persona humbën jetën nga një sulm me armë zjarri në një shkollë për të rritur në Suedi. Ngjarja e rëndë ndodhi në një kampus në qytetin Orebro.

Mediat suedeze shkruajnë se autori, i cili dyshohet se ka vepruar i vetëm, është vetëvrarë pas sulmit.

“Kjo aktualisht shihet si tentativë vrasje, zjarrvënie dhe vepër e rëndë me armë,” tha policia në një deklaratë, duke shtuar se shkalla e lëndimeve të pesë personave që ishin qëlluar mbetet e paqartë.

E përditshmja Aftonbladet dhe transmetuesit SVT dhe TV4, duke cituar burime anonime, thanë se “disa njerëz” ishin vrarë. Të shtënat ndodhën në Orebro, rreth 200 km në perëndim të Stokholmit, në shkollën.

Maria Pegado, 54, mësuese në atë shkollë, tha se dikush hapi derën e klasës së saj menjëherë pas pushimit të drekës dhe u bërtiti të gjithëve që të dilnin jashtë.

“I nxora të gjithë 15 studentët e mi në korridor dhe filluam të vrapojmë,” i tha ajo Reuters me telefon. “Pastaj dëgjova dy të shtëna, por ia dolëm. Ishim afër hyrjes së shkollës.”

Asnjë oficer policie nuk u lëndua nga të shtënat, tha policia. Ambulancat, shërbimet e shpëtimit dhe policia ishin në vendngjarje, tha një zëdhënës i shërbimeve lokale të shpëtimit.

“Kemi pranuar katër pacientë, por nuk mund të themi asgjë për gjendjen e të plagosurve, por ata u pranuan në dhomën e urgjencës në Spitalin Universitar Orebro”, tha një zëdhënës i rajonit të Orebro për Reuters. Policia tha se nxënësit u mbajtën në ambiente të mbyllura në shkollën që ishte në shënjestër dhe në shkolla të tjera aty pranë. Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strommer tha për Reuters se qeveria ishte në kontakt të ngushtë me policinë dhe po ndiqte nga afër zhvillimet.

Suedia shpesh herë është përballur me sulme të bandave kriminale përfshi këtu edhe sulmet nëpër shkolla.

Dhjetë persona u vranë në shtatë incidente të dhunës vdekjeprurëse në shkolla midis viteve 2010 dhe 2022, sipas Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit.

Në një nga krimet e tilla të profilit më të lartë në dekadën e fundit, një sulmues 21-vjeçar i maskuar i shtyrë nga motive raciste vrau një asistent mësues dhe një djalë ndërsa plagosi dy të tjerë në 2015.