Burg përjetë kërkoi SPAK për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të akuzuar për vrasjen e dyfishtë në qendër të Lushnjës në 2017-ën.
Në kërkim për ngjarjen vazhdon të jetë Laert Haxhiu, i konsideruar si organizator i ngjarjes ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.
Dy viktimat njiheshin për lidhjen e tyre me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares dhe sipas SPAK, ky i fundit ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet e vjetra të Bandës së Lushnjës.
Ngjarja e rëndë e regjistruar në 11 Tetor të 2017 në lagjen “Loni Dhamo”, pasonte një tjetër tentative për vrasjen e Xhulio Shkurtit. Ishte Prokuroria e Lushnjës që në Korrik të 2020-ës me vendim gjykate shpalli në kërkim këta persona si autor, ndërsa hetimet i mori Prokuroria e Posaçme për shkak të organizimit si grup kriminal.
Në një proces të veçuar do të vijojë gjykimi për Laert Haxhiun, i cili për shkak se nuk është arritur të arrestohet u nda nga procesi ndaj Anterio Kaloshit dhe Orges Bilbilit. Ky i fundit u vu në pranga rastësisht në Prill të vitit të kaluar, pasi u ndalua nga policia për thyerje të karantinës për shkak të Covid-19.