Bota Masakra e Srebrenicës/ Boshnjakët padisin Holandën në Gjykatën Evropiane për të Drejtat...

Masakra e Srebrenicës/ Boshnjakët padisin Holandën në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Familjarët e viktimave të Masakrës së Srebrenicës e kanë dorëzuar një padi kundër Holandës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Kjo padi e sfidon vendimin e Gjykatës Supreme të Holandës dhe paraqet hapin më të ri në betejën e gjatë ligjore, të nisur nga organizata “Nënat e Srebrenicës”, e cila po kërkon llogaridhënie nga qeveria holandeze për vdekjen e 350 myslimanëve boshnjakë.

“Organizata Nënat e Srebrenicës sot e kanë dorëzuar një rast kundër shtetit holandez në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thanë avokatët Marco Gerritsen dhe Simon van der Sluijs. Ata e akuzuan Holandën për mungesë të masave të mjaftueshme për ta mbrojtur popullsinë në kohën e konfliktit të përgjakshëm.

Më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Kjo ishte vrasja më e madhe masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shumë prej viktimave ishin strehuar në të ashtuquajturën zonë e sigurt, të shpallur nga Kombet e Bashkuara. Megjithatë, trupat holandeze nuk kishin arritur t’i mbronin civilët, të cilët ishin sulmuar më pas nga forcat serbe.

Gjykata Supreme e Holandës kishte vlerësuar në korrik të vitit të kaluar se paqeruajtësit holandezë kishin vepruar brenda ligjit, kur i kishin evakuuar burrat boshnjakë nga baza e tyre ushtarake afër Srebrenicës më 13 korrik të vitit 1995, duke ua dorëzuar forcave serbe.

Qeveria holandeze kishte dhënë dorëheqje në vitin 2002 pasi kishte pranuar se trupat e këtij vendi kanë dështuar t’i mbrojnë refugjatët boshnjakë, shkruan “Free Europe”.