Aktualitet Masakra në Elbasan: Si ndodhi përplasja e armatosur dhe kush janë 11...

Masakra në Elbasan: Si ndodhi përplasja e armatosur dhe kush janë 11 të arrestuarit

11 persona janë arrestuar në total dhe një tjetër është shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të një dite më parë në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.

Një nga të arrestuarit është ish-efektivi i RENEA-s që qëlloi me armë, Arbër Paplekaj, i cili u vetëdorëzua në polici pas ngjarjes. Arbër Paplekaj akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë në bashkëpunim.

Të ndaluarit e tjerë janë Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim, dhe Eldjo Beko i akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Ndërsa në kërkim është shpallur Klement Xhaferri i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”.

Dinamika e ngjarjes

Në një komunikim për mediat nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, shpjegoi edhe dinamikën e ngjarjes.

“Më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurinë për shtabin elektoral të subjektit politik Partia Demokratike për qarkun Elbasan, së në rrugën ”Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona. Nga ana e Policisë është vlerësuar informacioni dhe menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë.

Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik. Po kështu grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit fuoristradë ML të drejtuar nga shtetasi M. G., duke i prerë rrugën, marrë çelësin e automjetit. Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim. Shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan. Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike. Ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike.

Pas mbërritjes së forcave të Policisë, konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“Në makinën pa targa nuk u gjetën sende për shit/blerjen e votës”

Sipas Ardi Veliut, nga kontrolli në makinën Mercedes-Benz ML pa targa nuk u gjet asnjë send apo objekt që ka të bëjë me shit/blerjen e votave.

“Nga këqyrja e automjetit tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës”.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra, 4 predha, tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike etj.