Aktualitet Masakroi shqiptaren në Londër, burg përjetë vrasësit

Masakroi shqiptaren në Londër, burg përjetë vrasësit

Një 29–vjeçar, i cili vrau me thikë një vajzë shqiptare në Queen’s Park të Londrës, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Noor Mohammad, 29 – vjeç e vrau Romina Kalacin në shtëpinë e saj në Fernhead Road, më 22 Maj të këtij viti. Ajo u gjet një javë më vonë, pasi policia u detyrua ta hapte me forcë derën e saj të shtëpisë.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm me minimumi 24 vjet nga Blackfriars Crown Court të enjten, një ditë pasi u shpall fajtor.

Gjykata u njoh me faktin se 32 – vjeçarja Kalaci ishte me dy nënshtetësi, italiane dhe shqiptare dhe jetonte në Britani që prej 2016 -ës.

Ajo punonte si eskortë dhe e reklamonte shërbimin e saj në një website. Kjo kishte qenë edhe mënyra sesi kishte kontaktuar me Mohammad.

29 – vjeçari, i cili jetonte nga Sherwood Close, Ealing, kishte shkuar në apartamentin e Kalacit me një thikë kuzhine me vete.

Ai e kishte goditur të renë shumë herë në kokë e trup, në atë që gjykatësi John Hillen e konsideroi një sulm “kafshëror”.

Në gjykatë u përshkrua fakti se Mohammad kishte marrë një tjetër thikë në apartamentin e saj, të cilën e kishte përdorur përpara se ta tërhiqte në dush dhe të vijonte ta godiste.

Pas krimit të tmerrshëm, ai u përpoq të fshihte telefonin dhe rrobat e tij dhe të pretendonte pafajësinë derisa nisi gjyqi.

Ishin fqinjët që njoftuan policinë, pasi kishin ndjerë një erë të keqe që vinte nga apartamenti i 32 – vjeçares. Kur oficerët u futën në banesën e Kalacit, telefoni i saj vijonte të luante muzikë, të njëjtën këngë në mënyrë të përsëritur.

Gjykatësi John Hillen tha se ajo kishte biseduar me familjen një ditë përpara se të vdiste.

“Kjo është një brengë shumë e madhe për këdo që e ka njohur dhe e ka dashur. Ata jo vetëm që humbën një vajzë, një motër, një mike, por duhet ta pranojnë këtë humbje duke ditur sesi vdiq”.

“Veprimet e tij dhe mos pranimi i krimit për shumë muaj i ka shkaktuar familjes Kalaci dhimbje të konsiderueshme. Shpresoj që tashmë të mund të gjejnë pak ngushëllim teksa shohin personin përgjegjës të marrë dënimin e merituar”.

Mohammad, nga Bengali, kishte qëndruar në vend në mënyrë të jashtëligjshme pasi afati i vizës së tij studentore kishte skaduar. Ai do të deportohet në vendin e tij nëse lirohet në 2041.