Aktualitet Masat antikoronavirus lehtësohen edhe në burgje

Masat antikoronavirus lehtësohen edhe në burgje

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një takimi me drejtuesit e burgjeve, ka njoftuar disa masa lehtësuese në burgjet.

Mes tyre, Gjonaj theksoi se nga 14 qershori do të rinisin takimet e të dënuarve me familjarët, lejet e veçanta dhe aktivitetet sociale e kulturore. Gjithashtu, të dënuarit mund të takojnë një herë në muaj familjarët, me kushtin që këta të fundit të paraqesin pranë burgut certifikatë vaksinimi, test negativ ndaj COVID-19 apo test që provon se e ka kaluar COVID-19.

Ministrja e Drejtësisë tha edhe se në total, 7 punonjës të Policisë së Burgjeve kanë humbur jetën nga Covid-19.

“Ne ishim të detyruar që të pezullojmë të gjitha takimet e të burgosurve me familjarët, por ne i mundësuam ata me komunikimet “online”. Ne ndërmorëm një iniciativë për leje të veçanta për disa grupe të dënuarish me afat 3-mujor. Nga akti normativ morën leje të posaçme 450 të dënuar dhe kjo praktikë rezultoi shumë e suksesshme, pasi të dënuarit u kthyen në insitucione. Gjithashtu, duhet thënë që leja e posaçme u zgjat nga 3 muaj në 6 muaj për këta të burgosur që ishin dënuar për vepra të lehta penale. Dy godinat e spitalit të Shënkollit në Lezhë, që u përdorën si vend karantine, janë akoma në funksion për të shmangur çdo lloj situate tjetër që mund të kemi në ditët në vijim”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja njoftoi edhe se “punonjësit e burgjeve do të kenë rritje të pagës”.