Kryesore Masat e reja anti-COVID: Si ndryshon orari për lëvizjen, rregullat për lokalet,...

Masat e reja anti-COVID: Si ndryshon orari për lëvizjen, rregullat për lokalet, stadiumet dhe teatrot

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh paraditen e sotme për të prezantuar masat e reja anti-COVID.

Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli bëri me dije se nisur nga situata e qëndrueshme epidemiologjik, komiteti vendosi që duke nisur nga data 1 qershor hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme, por do vijojë të përdoret në ambientet e brendshme dhe në transportin publik, ndërkohë që ora policore shtyhet deri në orën 23:00.

“Ora policore shtyhet nga ora 22:00-06:00 në 23:00-06:00. Klubet dhe diskot do vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe muzika do vijojë deri në orën 22:00. Nëse situata vijon e qëndrueshme, duke nisur nga 1 korriku ora policore do të shtyhet deri në orën 00:00-06:00”, tha znj. Rakacolli.

Masat që lehtësohen

Nga 1 qershori:

Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijoje të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.

Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00.

Nga 15 qershori:

Grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.

Nga 1 korriku:

Ora policore shtyhet në orën 24.00 -06:00.

Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00.

Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete te reduktuara deri ne 30% sipas protokollit te ISHP.

Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30% të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP.