Aktualitet Masat e reja, çfarë pritet të vendosë Komiteti i Ekspertëve të hënën

Masat e reja, çfarë pritet të vendosë Komiteti i Ekspertëve të hënën

Ecuria e pandemisë gjatë kësaj jave në Shqipëri do të jetë vendimtare për ndryshimin e masave. Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet të hënën për të marrë një vendim.

Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi tregon se cilat janë masat që mund të ashpërsohen nëse rritet numri i të infektuarve dhe atyre që kërkojnë shërbim spitalor.

“Do të ulet ora e kufizimit të lëvizjes dhe do të kalojmë të gjitha shkollat online. Në asnjë rast nuk do të vendoset për karantinë sepse edhe vendet që kanë kaluar në karantinë nuk kanë dhënë rezultate”, thotë Koraqi.

Anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve janë shprehur disa herë me shqetësim për rritjen e numrit të viktimave e të infeksioneve dhe kanë kërkuar nga qytetarë e biznese t’i respektojnë masat, si mënyrë për parandalimin e përhapjes se virusit.

Numri i të shtruarve në spitale, barometri që shërben për të vendosur ashpërsim apo lehtësim të kufizimeve, ka pësuar gjithashtu rritje gjatë kësaj jave.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u bërë një front përballë COVID-19, gjatë takimit me mjekë dhe infermierë të Spitalit COVID 3. Ajo tha se situata është delikate dhe u bëri apel qytetarëve për zbatimin e rregullave antiCOVID, për këputjen e zinxhirit të infeksionit.

“Jemi në një situatë delikate dhe gjithë angazhimi i personelit shëndetësor është i drejtuar në dhënien e shërbimeve këtyre pacientëve. Janë më shumë se 600 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet tona, qoftë në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në COVID 3, COVID 4 dhe spitalet rajonale që tashmë janë të hapura. Por është momenti për një thirrje për njerëzit: Sa më shumë të kujdesshëm, aq më pak raste në spitale, aq më pak fatalitete”.

Duke folur për vaksinimin, Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID janë vaksinuar me të dy dozat dhe po vijon me intensitet vaksinimi i stafeve mjekësore, duke u shtrirë nga sot edhe në Korçë.

Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave, procesi do të intensifikohet, deklaroi Manastirliu.