Bota Masat e reja në Britani, Johnson paralajmëron edhe përfshirjen e ushtrisë

Masat e reja në Britani, Johnson paralajmëron edhe përfshirjen e ushtrisë

Dy anëtarë të Ushtrisë Britanike në Sheshin e Parlamentin

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rezervon të drejtën për të marrë masat më të ashpra nëse qytetarët nuk respektojnë kufizimet e përforcuara për të frenuar përhapjen e Covid-19. Kështu u shpreh kryeministri, Boris Johnson, teksa iu drejtua britanikëve me një mesazh televiziv. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa shtoi se nuk dëshiron të pakësojë liritë individuale, por është diçka që duhet bërë për të shmangur pasoja më të rënda. Johnson paralajmëroi gjoba deri në 10 mijë paund për ata që nuk do të respektojnë masat në fuqi.

“Do të nxjerrim më shumë policë në rrugë dhe do të përdorim edhe ushtrinë nëse do të jetë e nevojshme”, tha Johnson.

Shefi i qeverisë së Londrës shtoi se nëse virusi do të dalë jashtë kontrollit do të bënte që sistemi shëndetësore të pësonte kolaps dhe për pasojë në fuqi do të hynin kufizime më strikte.

“Nëse do të ishim të detyruar të vendosnim një izolim të ri kombëtar, kjo do të kërcënonte jo vetëm vendet e punës dhe përditshmërinë, por edhe kontaktin njerëzor, në të cilin varemi të gjithë. Do të rikthente vetminë dhe izolimin për të moshuarit dhe personat në nevojë si dhe do të kërcënonte sërish edukimin për fëmijët tanë”.

Ndërkohë, më herët Britania e Madhe ashpërsoi kufizimet duke bërë që lokalet e natës, baret dhe restorantet të mbyllen pas orës 22:00, ceremonitë festive nuk do të kenë më shumë se 15 pjesëmarrës, ndërsa ato mortore deri në 30. Kufizimet mund të qëndrojnë në fuqi deri në 6 muaj. Paralajmërimi për një izolim të ri kombëtar bëri që britanikët të boshatisnin raftet në supermarkete.