Bota Masat kundër koronavirusit, francezët ikin nga Parisi drejt fshatit

Masat kundër koronavirusit, francezët ikin nga Parisi drejt fshatit

Qytetarë të shumtë po largohen nga Parisi, pas masave të marra nga qeveria për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Mediat, raportojnë dhjetra qytetarë me maska dhe me doreza, të cilët janë parë të martën në mëngjes duke vrapuar drejt metrove, si dhe qindra automjete që kishin pushtuar autostradat për t’u larguar me shpejtësi nga qyteti.

Ky “eksod” ka shqetësuar provincat franceze, pasi kanë frikë se banorët e qytetit do të sjellin virusin me vete dhe do të ndihmojnë në përhapjen e tij në të gjithë Francën.

Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran tha se qeveria nuk kishte ndërmend të parandalojë njerëzit për të udhëtuar drejt shtëpive të pushimit, por deklaroi se kufizimet e rrepta do të zbatohen në vendet bregdetare, pikërisht ashtu siç do të aplikohen edhe në qytetet kryesore të vendit.

“Ne do të jemi në një mjedis më të hapur, në një shtëpi më të madhe dhe me një kopsht, sesa të qëndrojmë në një apartament në Paris”, deklaroi një gazetare, e cila po udhëtonte me të dashurin për tek shtëpia e nënës së saj në veri të Francës. Të dy po planifikojnë të punojnë në distancë.

Numri i vdekjeve në Francë nga Covid-19 ka arritur në 148 persona, ndërsa 6 mijë e 600 të tjerë janë infektuar.

Presidenti Emmanuel Macron të hënën tha se vendi “ishte në luftë” me koronavirusin, duke njoftuar edhe disa masa të ashpra për ditët në vazhdim./Reuters/