Aktualitet Masat në Shqipëri për koronavirusin, Bino: Mos u dyndni në urgjencë, kujdes...

Masat në Shqipëri për koronavirusin, Bino: Mos u dyndni në urgjencë, kujdes me higjienën

Në një deklaratë për mediat, Silva Bino, shefja e Infektivit, ka bërë me dije masat që po merren në vendin tonë në lidhje me rrezikun e mundshëm nga koronavirus.

Ajo u shpreh se nuk ka nevojë për panik dhe se deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar, por ka bërë apel për një higjienë vetjake shumë të kujdesshme, pasi ky virus përhapet njësoj si ai i gripit, përmes spërklave.

“Luftohet duke u përkujdesur për veten dhe të afërmit, përmes masave hijeno-sanitare. Është një virus i thjeshtë, përhapet në të njëjtën rrugë si gripi, pak a shumë janë sëmundje të ngjashme me njëra-tjetrën, përveç faktit që ky ka fare pak më të lartë numrin e vdekjeve”.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Bino tha se analizat për këtë virus kryhen në ISHP dhe se nuk kanë vetëm një pajisje, por disa. Lidhur me masat e marra, ajo pohoi se janë rritur në kufi duke marrë parasysh rastet e shtuara në Itali të personave të infektuar me koronavirus.

“Janë përforcuar masat në kufi dhe u bëj thirrje qytetarëve që udhëtojnë qoftë nga Italia apo Kina, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim. Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport, ka një diskutim për skanerët, por nuk i kanë të gjitha vendet. Nga një studim i fundit është treguar se nuk kanë vlerë në kapjen e hershme të virusit”.

Ndërkohë ajo bëri thirrje që të gjithë qytetarët që kanë shqetësime, të mos dynden në urgjencë, pasi mund të ndodhë kryqëzim virusesh, por të telefonojnë numrin e urgjencës 127, për të komunikuar me stafin e trajnuar, e më pas për të marrë ndihmën mjekësore në banesë.