Opinione Mashtrimi i Brexitit për britanikët

Mashtrimi i Brexitit për britanikët

Boris Johnsoni ndoshta do ta fitojë garën për zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar. Por kjo është e trishtueshme, thotë Birgit Maaß.

Nga Birgit Maaß*

“Si mund të ndodhë që Boris Johnsoni ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet?” më pyesin vazhdimisht. Një njeri, të cilin kritikët e tij e quajnë “mini-Trump” dhe ish-kolegë të partisë e quajnë “sharlatan”. Një kryeministër që thjesht e dërgon Parlamentin në pushim të detyruar, sepse nuk i pëlqen që eurodeputetët nuk e mbështesin politikën e tij të Brexitit; që i degradon kundërshtarët e tij politikë si “sabotatorë” dhe “frikacakë”. Pikërisht atë do të konfirmojnë në post britanikët, përndryshe pragmatikë dhe miqësorë.

Që Johnsoni kryeson në mbështetjen e zgjedhësve është deziluzionuese. Kjo ka të bëjë më pak me faktin sa brilant apo i preferuar është ai (vlerësimet personale për të në sondazhe janë negative), por me faktin se shumica e britanikëve janë të dërrmuar nga ecejaket e Brexitit. Ka të bëjë edhe me sondazhet, edhe më të këqija të kundërshtarit të tij, Jeremy Corbyn të Partisë Laburiste, të cilin shtypi britanik kryesisht kundër BE e portretizon si marksist dhe mik të terroristëve, të mbetur në vitet 1970.

E keqja më e vogël

Përballë tij, Johnsoni duket si e keqja më e vogël. Shumë zgjedhës i vlerësojnë me të njëjtën masë të gjithë politikanët, nuk e kuptojnë pse duhet kaq shumë kohë për të zbatuar Brexit-in. Mesazhi i thjeshtë i Johnson-it “Le ta përfundojmë Brexitin” u përshtatet shumë njerëzve – që kërkojnë të marrë fund grindja me Parlamentin, të marrë fund grindja në familje mes miqve të BE dhe patriotëve të Brexit-it, të marrë fund rrëmuja, mendojnë shumë vetë. “Gati për ta pjekur në sobë” është programi i tij Brexitit – kjo tingëllon më joshëse dhe si një festë e hershme Krishtlindjesh.

Premtimet e Johnsonit, megjithatë, janë aq të gënjeshtërta sa edhe të thjeshta. Ai premton që deri në fund të vitit të ardhshëm Britania do të dalë vërtet jashtë BE. Dhe deri atëherë do të jetë hartuar edhe një marrëveshje e tregtisë së lirë, kështu do të garantohej që Britania të mos dalë nga Aleanca në rënie të lirë. Ekspertët tërheqin vëmendjen se marrëveshje të tilla zakonisht vijnë pas vitesh bisedimesh të vështira. Se e vetmja mënyrë për ta kryer punën shpejt është që t’u përmbahesh rregullave ekzistuese të BE dhe të mos ndjekësh rrugë të reja. Por meqenëse qeveria konservatore dëshiron të lidhë sa më shpejt edhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë me SHBA, ku rregullat janë krejtësisht të ndryshme, të dyja synimet zor se pajtohen.

Por, që të tërheqë vëmendjen për kontradiktat, që t’u bëjë të qartë votuesve që vendimi për Brexit do të ketë edhe pasoja negative, kjo nuk është punë e Johnsonit. Ai i vë në gjumë shumë votues duke u treguar atyre në një frymë përralla e gënjeshtra. Gjatë kohës së tij si korrespondent në BE në Bruksel në vitet 1990, ai kishte shpikur një zhanër të ri: të tallej me BE, duke i shkëputur nga konteksti direktiva të BE të formuluara jokuptueshëm dhe duke i portretizuar ato si qesharake – për zbavitjen e lexuesve britanikë me burokratët joefikasë dhe të etur për rregullime të Brukselit. Dhe këtij zhanri Johnsoni i mbetet besnik edhe sot e kësaj dite. Këtë verë, Johnsoni papritmas paraqiti një paketë me peshq të tymosur të izoluar, për të cilin ai pretendoi se sipas direktivave të BE mund të shitej vetëm së bashku me jastëkë ftohës akulli- një gënjeshtër e kulluar, siç sqaroi menjëherë Komisioni i BE.

Gënjeshtër mbi gënjeshtër

Dhe kështu vazhdon e gjitha. Një dalje nga BE do të lironte fonde për sistemin e dobët shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar, u tha në fushatën zgjedhore para referendumit. Dhe Johnsoni ende flet për një të ardhme të mrekullueshme jashtë BE, megjithëse studime të qeverisë thonë se ekonomia do të tkurret në mënyrë drastike, po të mos arrihet një marrëveshje e tregtisë së lirë.

Në këtë fushatë elektorale Boris Johnsonin e pyesin rregullisht nëse mund t’i besosh. Votuesit duket se e dinë që nuk mund t’i besojnë – dhe megjithatë ndoshta do t’ia japin atij votën. Si asnjë politikan tjetër britanik, për shkak të gënjeshtrave të tij të vazhdueshme ai është fajtor që besimi i britanikëve te klasa politike po i afrohet zeros. Kur të demaskohet gënjeshtra e tij e fundit, se ai mund ta kryejë Brexitin pa dhimbje dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, atëherë shumë britanikë me siguri do të humbasin përfundimisht respektin për politikanët e tyre.

*DW