Aktualitet Mashtrimi me TVSH, ekspertët shpjegojnë se si funksionon skema

Mashtrimi me TVSH, ekspertët shpjegojnë se si funksionon skema

Dy ditë më parë, në pranga përfunduan 15 biznesmenë për abuzime me TVSH-në, në një skemë që i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 4 milionë euro.

Nuk është e para herë që ndodh, raste të tilla ka pasur me dhjetëra dekadën e fundit.

Sotiraq Dhamo, ekspert kontabël, shpjegon për A2 se si funksionojnë skemat e abuzimit me TVSH-në, të cilat, sipas tij, sistemi aktual tatimor e ka të pamundur t’i evidentojë.

“Krijohen një apo disa kompani fiktive, të cilat pasi regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe pajisen me blloqe TVSH-je. Lëshojnë fatura fiktive, nëpërmjet të cilave rezultojnë që blerjet me TVSH i kanë më të mëdha sesa shitjet me TVSH dhe bëjnë kërkesë për rimbursim. Ndërsa kompania fiktive nuk deklaron asgjë në Tatime dhe për një periudhë kohe mbyllet ose nuk lëshon më fatura”, thotë eksperti.

Dhamo shpjegon se skemat e abuzimit me TVSH-në aplikohen më lehtë në sektorin e ndërtimit dhe karburanteve, pasi aty verifikimi i faturave fiktive është i vështirë, për shkak të hallkave të shumta të funksionimit të këtyre aktiviteteve. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me mbi 33% të totalit./A2CNN