Uncategorized Mashtrohen banorët e njësisë nr 8 dhe interesat që fshihen nga Bashkia...

Mashtrohen banorët e njësisë nr 8 dhe interesat që fshihen nga Bashkia e Tiranës

Plani i projektit të ri

Në muajin maj të këtij u prezantua me bujë mediatike një plan për krijimin e një lagjeje të re në Tiranë. Më konkretisht në njësinë numër 8 të kryeqytetit.

Ishte arkitekti italian, Stefano Boeri dhe kryebahkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ata që prezantuan planin për krijimin e një lagjeje të re në Tiranë, si pjesë e planit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit që është quajtur “Tirana Riverside”, ose Tirana e Bregut të Lumit.

“Do të jetë një qytet me teknologjinë më të përparuar nga pikëpamja e internetit dhe 5G dhe një qytet ku e gjelbra është ideja themelore. Do të jetë një lagje që do të funksionojë pa qenë nevoja që të përdoret makina”, u shpreh në atë kohë arkitekti italian, por pa dhënë detaje se si do operohej.

Gjithçka për planin u la në terr informativ, duke mos iu dhënë banorëve të kësaj zone asnjë shpjegim se si do të procedohej.

Edhe tani, disa muaj pas prezantimit të planit nuk ka ende asnjë të dhënë konkrete se si do të operohet dhe si do të dëmshpërblehen banorët që preken nga ky projekt.

Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se ky projekt do të jetë një tjetër partneritet publik privat, çka do të sjellë abuzime dhe dëme për banorët që preken nga projekti.

Këta të fundit, ndërsa shkojnë te Hipoteka e Tiranës për të marrë dokumenta për shtëpitë e tyre, kthehen me duar në xhepa, pasi punonjësit e Hipotekës nuk iu tregojnë të vërtetën se çdo të ndodhë me shtëpitë e tyre.

Interesat që fshihen

Kuptohet që mungesa e transparencës nga Bashkia e Tiranës ndaj një projekti të premtuar nga vetë i pari i qytetit për banorët e Njësisë 8, fsheh në vetvete interesa të mirëfillta financiare. Në mos qoftë thjesht një premtim nga ato tipikët të Veliajt që nuk realizohen kurrë, si shumë fjalë të pambajtura, është një aferë e mirëfilltë korrupsioni. Nuk është e papritur kur Veliaj t’ia japë projektin një prej oligarkëve të shumtë që ka uzurpuar kantiere të tëra ndërtimi në kryeqytet. Dhe që majmen pafund nga tenderët e paligjshëm të Bashkisë. E thënë me fjalë të thjeshta, banorët e njësisë 8 duhet të presin njëherë derisa Veliaj të zgjidhë pazarin e radhës në kurriz të qytetarëve dhe të atyre që u goditën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019.

Banorët e kësaj zone shprehen të prerë në besë nga Bashkia e Tiranës, por edhe nga deputetët e zonës për terrin informativ. Ata thonë se nëse nuk marrim sqarime nga institucionet përkatëse do të marrin parasysh edhe zhvillimin e protestave. Në fotot më poshtë janë edhe lagjet e njësisë 8 ku është projektuar ndërtimi i lagjes së re.