Aktualitet Mashtronin të huajt për investime në bursa, në pranga dy të rinj

Mashtronin të huajt për investime në bursa, në pranga dy të rinj

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona për mashtrim të shtetasve të huaj përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit R. M dhe S. H., të dy banues në Tiranë.

Policia e kryeqytetit ka sekuestruar laptopë, aparate celulare dhe USB që përmbanin të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar nga të rinjtë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

“Shtetasit R. M. dhe S. H. administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Egnatia”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ata janë kapur në flagrancë gjatë kohës që po mashtronin një shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale laptopë, aparate celulare dhe USB që përmbanin të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive”, thuhet në njoftimin e policisë.