Politika Mashtruesi indian, Konsull Nderi/ Ministria e Jashtme i heq mandatin

Mashtruesi indian, Konsull Nderi/ Ministria e Jashtme i heq mandatin

Ministria e Jashtme ka dhënë sot një njoftim sqarues lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara.

Ministria informon se i ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm”, – thuhet në njoftim.

Më tej ministria sqaron: “Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.

Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.

Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.”

Dy vëllezër indianë u shpallën në kërkim në vendin e tyre për një mashtrim të disa bankave në vlerën mbi 725 milionë dollarë.

Njëri prej tyre, Nitin Sandesara është bërë konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri. Të qenurit konsull nderi i Shqipërisë e ka ndihmuar Nitin Sandesara të ndihmojë edhe të vëllanë Chetankumar Sandesara në marrjen e nënshtetësisë shqiptare.

Këto tituj Sandesara i ka përdorur si një mburojë diplomatike ndërsa vendi i tyre India kishte nxjerrë urdhër ndërkombëtar arrestimi.