Kryesore Maska bëhet e detyrueshme edhe jashtë

Maska bëhet e detyrueshme edhe jashtë

Duke nisur nga e enjtja e ardhshme mbajtja e maskës do jetë e detyrueshme, jo vetëm në ambientet e mbyllura, por edhe jashtë.

Në rast të shkeljes së këtij rregulli, Rama tha qytetarët do të marrin gjoba, të cilat do të vijnë bashkë me faturat e dritave.

“Nga java e ardhshme, maska do jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, restoranteve, barit ku je ulur. Gjoba duhet të jetë e fundit dhe nuk duhet të jetë gjoba ajo pse njerëzit duhet të mbajnë maskën”, theksoi Rama, duke thënë se zbatimi do të ndiqet nga policitë bashkiake, por dhe nga Policia e Shtetit.

Kreu i qeverisë ftoi njerëzit që kjo masë të mirëkuptohet, pasi është e vetmja që mund të shmangë një izolim të dytë, e cila do ishte me pasoja shumë më të rënda për shëndetin e njerëzve dhe ekonominë e vendit.

“Më mirë një maskë sot se mbyllja e dyqanit nesër, më mirë një maskë sot se mbyllja e shkollës nesër.

Siç e shihni, është një tendencë e përgjithshme që nuk i shmangemi dot. Kam parë një sërë vendesh që janë kthyer tek oraret e kufizuara të shërbimeve tek mbyllja e bareve në orën 8-9 të darkës. Nuk dua të shkojmë drejt këtyre masave, ta kalojmë dimrin pa këto masa”, theksoi Rama.

Kryeministri shpalli se dhe ai vetë do mbajë maskë.

“Shumë e thjeshtë: unë s’kam mbajtur maskë jashtë, por do e mbaj pasi brenda nuk diskutohet”.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se janë përgatitur disa skenarë për përballimin e kësaj situate, ku parashikohen hapja edhe e katër spitaleve rajonale, ndërsa është porositur dhe një sasi e konsiderueshme Remdesivir për trajtimin e rasteve me Covid.

“Qeveria shqiptare është angazhuar financiarisht në parablerjen e vaksinave me një fond parapagimi 4 milion dollarë. Ne e kemi bërë një marrëveshje. Paralelisht jemi duke punuar dhe me BE për të pasur procesin e vaksinimit edhe më herët. Përballja me vjeshtën dhe dimrin nuk do të jetë e lehtë. Do të kemi në total në dispozicion rreth 1600 shtretër bashkë me spitalet rajonalë, të pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme”, shtoi ministrja.

Ministrja theksoi se për të asistuar pacientët me Covid 19 që trajtohen në banesa do të jetë në dispozicion një ekip mbështetës.