Kryesore Maskat, të detyrueshme në ambientet e mbyllura

Maskat, të detyrueshme në ambientet e mbyllura

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur sot se Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës për çdo individ jo vetëm gjatë transportit publik, por edhe në ambiente të mbyllura.

Ministrja bëri një deklaratë të tillë gjatë vizitës në qendrën shëndetësore nr. 8 në Tiranë ku tha se, vendosja e maskës me detyrim në ambientet e mbyllura është një masë e domosdoshme, që do të hyjë në fuqi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të kufizuar përhapjen e COVID-19.

“Me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve kemi vendosur që maskat/barrierat mbrojtëse, ashtu siç i kemi përcaktuar të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura. Do të jetë një përgjegjësi më shumë e të gjithë qytetarëve, për të mbajtur barrierat mbrojtëse, kudo në ambientet e mbyllura. Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen”, tha znj. Manastirliu.

Ministrja bëri dhe një apel për të gjithë ata persona që janë skeptikë për koronavirusin duke thënë se, që të binden duhet të mbajnë parasysh vuajtjet që po kalojnë pacientët e shtruar në Spitalin Infektiv, ku aktualisht ndodhen 90 persona.

“Për ata të cilët janë skeptikë dhe nuk zbatojnë rregullat, u them që të shkojnë të takojnë të afërmit e familjarëve të cilët janë të shtruar në spitalin infektiv dhe të shohin se çfarë vuajtjesh kanë ata pacientë. Por ne mund ta luftojmë këtë sëmundje, duke përdorur armët e thjeshta, siç është përdorimi I maskës. Komunitetet shkencore e kanë pohuar se maskat/barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e infeksionit në ambientet e mbyllura. Është shumë efikase, pasi redukton transmetueshmërinë. Nëse e vendosim të gjithë, ajo përkthehet në një armë mbrojtëse për mospërhapjen e këtij infeksioni. Është shumë e rëndësishme që të na mirëkuptojnë të gjithë qytetarët, që ky është një akt që bëhet për të mirën e shëndetit. Shëndeti nuk ka çmim”, apeloi Manastirliu.

Detyrimi për vendosjen e maskave në ambientet e mbyllura do të përcaktohet me Aktin Normativ, ku do të përcaktohen edhe penalitetet për mosrespektimin e këtij detyrimi në ambientet e mbyllura.