Politika Mbahet në Tiranë tryeza “Shqiptarët dhe integrimi evropian”

Mbahet në Tiranë tryeza “Shqiptarët dhe integrimi evropian”

48
0
Shpërndaje

Lëvizja VETËVENDOSJE ka organizuar sot në Tiranë tryezën e dytë me titullin “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, si vazhdim i tryezës të mbajtur më 15 maj 2018 në Prishtinë me po të njëjtin titull e temë. Ashtu si në Prishtinë, edhe në këtë tryezë morën pjesë akademikë, studiues, artistë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të subjekteve politike.

Tryeza u hap nga kryetari Albin Kurti, i cili, ndër të tjera, shpjegoi edhe 5 konkluzat e dala nga tryeza në Prishtinë: (1) nevoja për një proces integrimi që shihet e vlerësohet si proces i bërjes anëtar dhe jo i vajtjes në BE; (2) rëndësia strategjike e integrimit të njëkohshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor; (3) zhvillimi ekonomik dhe drejtësia si prioritet; (4) harmonizimi i një politike të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe e shqiptarëve në përgjithësi; dhe (5) puna me pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën.

Pjesëmarrësit e tryezës në Tiranë shprehën dakordësinë me konkluzat e nxjerra nga tryeza në Prishtinë, duke shtuar edhe konluaza të tjera si në vijim:

  1. Çështjet kombëtare as nuk shuhen dhe as nuk marrin zgjidhje përfundimtare me integrimin në BE. Rasti aktual i Katalunisë në Spanjë është shembull që e vërteton këtë fakt.
  2. Një nga pengesat më të mëdha të integrimit të shqiptarëve në procese më të gjera, përfshirë atë në BE ka qenë statu quo-ja në përfaqësimin politik shqiptar, e cila duhet të ndryshojë duke ndryshuar edhe cilësinë e përfaqësuesve në Parlamente.
  3. Keqkuptimi dhe keqinterpretimi i Bashkimit Evropian vetëm si proces teknik nga jashtë dhe si mbikëqyrje formale standardesh nuk e ka lejuar shoqërinë shqiptare të shprehet aktivisht në bazë të elementeve dhe aftësive përbërëse të integrimit.
  4. Një nga shtysat më të rëndësishme të integrimit evropian nis me njohjen sa më të plotë të aftësive si kolektivitet kombëtar, dh jo si përdorim instrumental i aktorëve civilë, politikë dhe ndërkombëtarë.
  5. Bashkërendimi dhe bashkimi i tregjeve dhe prodhimeve të Kosovës e Shqipërisë.
  6. Integrimi kulturor mbarëkombëtar është domosdoshmëri që duhet të realizohet paralelisht me integrimin evropian.
  7. Platforma e çështjes kombëtare nuk mungon, siç këmbëngulet në të folurin mbizotërues, por ajo është shpallur që në Lidhjen e Prizrenit, ndaj sot nuk duhet të reduktohet në ekskluzivitet qeveritar, por në një akt të përbashkët intelektual politik.

Në të dy tryezat e organizuara deri më sot për këtë temë, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është dalluar qartë nevoja e madhe që kanë shqiptarët për të diskutuar hapur e përmbajtësisht lidhur me integrimin evropian, përtej formulave gjuhësore të ngurta e të përcipta, teknike dhe burokratike, që përdoren shpesh për këtë temë nga elitat politike shqiptare dhe zyrtarët e BE-së në vendet tona. Ne do të vijojmë të mundësojmë diskutimin pa komplekse sipas idesë dhe jo sipas interesave të ngushta që e zhbëjnë vetë politikën.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in