Në 2004-05 ishin Figo, Ronaldo dhe Zidane, në 2015-16 Benzema, CR7 dhe Bale. Tani i takon një tjetër tredhëmbëshi që të ndezë Madridin.
Të martën në mbrëmje Kylian Mbappé thirri presidentin i PSG-së, Nasser Al Khelaifi, dhe përpara trajnerit Luis Enrique dhe drejtorit sportiv Luis Ocampos i komunikoi vendimin për t’u larguar nga skuadra ku ka luajtur 7 vitet e fundit. Ai u ble nga Monako për 180 milionë euro dhe ikën gratis.
Te Real Madrid, edhe pse askush nuk e konfirmon zyrtarisht. Nuk ka pretendentë të tjerë, duke parë që Liverpuli ka dalë nga gara dhe njerëzit pranë sulmuesit kanë bërë me dije se te lulja e Fayza dhe Kylian, nënë e bir, kishin mbetur vetëm dy petale: e bardha e Madridit dhe bluja e PSG-së. Tek e para punojnë në qetësi, tek e dyta kanë mbetur shumë keq.
Sulm yjor- Njoftimi do të vijë më pas, por në Madrid po ushqehen me atë që në Paris e thonë prej kohësh: Mbappe do të jetë nën urdhrat e Carlo Ancelotti me Vinicius, Rodrygo dhe Bellingham, në atë që mund të jetë një repart ofensiv i papërmbajtshëm për nga forca, shpejtësia, klasi dhe mosha.
Galaktikët e erës moderne kanë një shtëpi të re shumë të bukur dhe historinë për të shkruar. Ndoshta për këtë Aurelien Tchouameni, shok skuadre i Mbappe në kombëtare, ishte madrileni i parë që reagoi, duke postuar dy pop-corn. Mesazhi është i qartë, francezi mendon se do të jetë argëtuese.
Të rinjtë galaktikë- Nëse në fillim të shekullit Florentino Perez bleu ‘Shtëpinë e Bardhë’, duke u premtuar ortakëve marrjen e Figos nga Barcelona e më pas, nga një në vit, Zidane, Ronaldo, Beckham dhe Owen, kampionë të afirmuar. Tani, 20 vjet më pas, ai synon talentet e reja, brazilianët Vinicius dhe Rodrygo, pastaj anglezin Bellingham, një tjetër udhëtim në Brazil për adoleshentin Endrick (pritet në Madrid këtë verë) dhe tani goditja e pritur prej dy vitesh: Kylian Mbappe.
Një që ka dy Botërorë mbi shpatulla, njërin si fitues. Carlo Ancelotti, për të cilin kanë thënë se nuk i do të rinjtë, vitin e ardhshëm do të ketë 8 titullarë të lindur mes 1998-ës dhe 2003-shit, Bellingham (20 vjeç), Camavinga (21), Rodrygo e Vinicius (23), Tchouameni dhe Brahim (24), Valverde dhe Mbappé (25), Militao (26). Dhe në stol Lunin (25) Brahim Diaz (24) dhe Endrick (18). Një skuadër, 11 lojtarë më pak të shkuar, mjaftueshëm të tashme dhe shumë të ardhme.
Një show- Mbappe është goditja perfekte për të hapur ‘Bernabeun’ e ri, stadiumin që do të shumëfishojë të paktën për 10 ditët e tij të përdorimit vjetor, nga 30 në 300, mes koncertesh, eventesh dhe deri në ndeshje futbolli amerikan. Një stadium gati për çdo lloj spektakli, edhe futbollistik.
Dhe nëse mendon se Real Madrid ka shkuar në gjysmëfinale të Championsit në 11 nga 13 sezonet e fundit, duke ngritur 5 herë kupën, ka vend për shqetësim. Sepse ardhja e Mbappe kompleton në mënyrë të jashtëzakonshme një grup që kërkonte me ankth zëvendësuesin e Benzema.
Jo vetëm para- Të shohim ku do të luajë Mbappe. Në të majtë, ku është zona e tij e preferuar, është Vinicius. Sa do të fitojë: për momentin madrileni që fiton më shumë është Toni Kroos, që nuk shkon te 25 milionë ero. Alaba dhe Modriç janë pak mbi 20. Për Mbappe nuk shkojnë më shumë se 35, gjithmonë neto. Një shifër jo larg asaj që Mbappe fiton në Paris.
Akordi për të drejtat e imazhit është arritur që prej dy vitesh. Mbetet për t’u parë shpërblimi për firmën. Nëse do qëndronte në Paris, Mbappe me shumë mundësi do të fitonte më shumë, por nënë e bir kuptohet qartë se kanë vendosur në peshoren e mendimeve të tyre të tjerë faktorë, që kanë të bëjnë dhe me të fituarit në Europë, ekspozimin mediatik, tërheqjen komerciale.
Marka e fuqishme Mbappe në Madrid është e destinuar të rritet më shumë, siç ka ndodhur me Cristiano Ronaldon, kur në 2009-ën la Mançesterin. E njëjta gjë vlen edhe për Real Madrid. Superliga është larg, Mbape afër. Për Florentino Perez është një shpërblim ngushëllimi galaktik.