Kryesore Mbërrijnë 15 mijë doza nga Pfizer, Rama: Bëni durim, është një luftë...

Mbërrijnë 15 mijë doza nga Pfizer, Rama: Bëni durim, është një luftë e madhe

Pak pas orës 21:00 të së hënës kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit edhe 15210 dozat e vaksinave të kompanisë Pfizer.

Ashtu siç është bërë tashmë zakon, në aeroport ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ardhja e vaksinave do të vijojë pa ndërprerje.

“Do të marrim 30 mijë doza në muajin prill dhe skeduli do të vazhdojë pa ndërprerje çdo muaj. Kam besim se shumë shpejt do të kemi një lajm shumë të mirë sepse kemi të konfirmuara 14 mijë dozat e para nga AstraZeneca brenda marsit. Nga ana tjetër po punojmë me disa burime të tjera. Ju lutem durim, pasi është një luftë e madhe tregtare dhe ne nuk jemi mbrapa askujt. Durim”, u shpreh Rama.

Më herët gjatë së hënës, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se këto doza vaksine do të vinin ditën e martë, duke pasur një shtyrje për 24 orë, por më pas avioni mbërriti sonte në mbrëmje në aeroportin e Rinasit.

Kjo është ngarkesa e tretë e vaksinave nga Pfizer dhe e katërta që merr Shqipëria bashkë me një sasi dhuratë nga vend anëtar i BE. Me 15,210 dozat që pritet të mbërrijnë sot synohet që të vaksinohen mësuesit.