Përzgjedhja e editorit Mbërrin vaksina CureVac, është gjermane: Ja si funksionon

Mbërrin vaksina CureVac, është gjermane: Ja si funksionon

Në Gjermani pritet të prodhohet një tjetër vaksinë kundër Covid. Wshtw vaksina e tretë (pas Pfizer dhe Modernës) që bazohet në platformën e Rna-së. Ja si funksionon sipas Corriere della Sera-s.

Çfarë është “CureVac”?

“CureVac” është një kompani farmaceutike nga Tübingen në Gjermani dhe do të jetë e treta në botë që do të dalë në treg me një vaksinë të dizajnuar me teknologjinë dërguese RNA, e njëjta platformë e përdorur nga “Pfizer-Biontech” dhe “Moderna”, përbërësit e të cilit deri më tani janë dukur më pak të ekspozuar krahasuar me ato të prodhuara me vektorin viral (“AstraZeneca, “Johnson & Johnson”). Një avantazh i mëtejshëm i kësaj teknologjie, është aftësia për të qenë në gjendje që vaksina të përditësohet shpejt në rast të varianteve të reja të virusit.

Sa doza do të vijnë?

CEO i “CureVac”, Franz Werner Hass, tha se kompania pret të prodhojë deri në 300 milionë doza brenda këtij viti dhe një miliard doza në vitin 2022. Ishte kompania e pestë që mbylli një marrëveshje furnizimi për vaksinat me BE, e vetmja që bëri kontratën e blerjes publike (megjithëse me disa pjesë të anuluara).

Kur do të mbërrijë?

EMA duhet të lëshojë autorizimin për të në fund të majit, ndërsa shpërndarja e saj pritet brenda qershorit. Kompania gjermane gjithashtu kërkoi një rishikim klinik nga “Swissmedic”, agjencia zvicerane e ilaçeve.

Si funksionon?

Është krijuar me teknikën e zhvilluar nga biokimisti hungarez, Katalin Karikò. Vaksina përmban një molekulë (lajmëtari Rna) të mbështjellë në një guaskë me grimca të vogla dhjami (lipide).  Udhëzimet gjenetike, u kalohen qelizave deri sa të prodhojë proteinën “Spike” (thumb), që virusi përdor për të infektuar. Sapo të injektohet vaksina, qelizat lexojnë mesazhin dhe prodhojnë “Spike”-un që fillon mbrojtjen imunitare.

Sistemi imunitar e njeh këtë proteinë si të huaj dhe përgjigjet duke vendosur mbrojtjen e vet (antitrupat dhe qelizat T). Trupi do të jetë në gjendje të luftojë virusin, pasi të infektohet personi i vaksinuar. Sapo të depozitohet ‘mesazhi’, RNA “e lajmëtarit” zhduket.

A është efektive?

Rishikimi klinik nga Ema, filloi në shkurt, ndërsa prova e fazës 3 po përfundon, rezultatet e të cilës do të dërgohen në mënyrë progresive në agjencinë e Amsterdamit për të shpejtuar kohën, sipas një mekanizmi të aplikuar për të gjithë agjentët anti-Covid të autorizuar deri më tani në Europë.

Por në fakt nuk ka të dhëna për efikasitetin. 36,500 vullnetarë gjermanë, morën pjesë në fazën 3 (duke filluar nga dhjetori). Vendimi për të filluar shqyrtimin klinik, ishte parashikuar nga analiza e rezultateve laboratorike (të dhëna jo klinike) dhe studime të tjera paraprake tek të rriturit, që tregojnë se vaksina indukton prodhimin e antitrupave dhe përbërësve të tjerë të sistemit imunitar që ndikojnë në SARS-CoV-2.

Çfarë është rishikimi klinik?

Është një mjet rregullues, i krijuar nga Ema për të shpejtuar vlerësimin e ilaçeve premtuese ose të nevojshme, për të trajtuar një rast urgjence. Të dhënat nuk shqyrtohen të gjitha së bashku, në një dosje të vetme, por vlerësohen sa më shpejt kur të jenë gati.

Nëse Komiteti për Produkte Mjekësore për Përdorim Njerëzor (CHMP), shpreh një mendim pozitiv, ai mund të kërkojë autorizim të përshpejtuar nga agjencia për atë produkt.

Si ruhet?

Krahasuar me dy vaksinat e tjera me ARN, “CureVac” mund të ruhet më lehtë, sepse nuk kërkon një zinxhir të ftohtë në minus 80 gradë. Reziston për 3 muaj në 5 gradë, gjë që e bën atë më të menaxhueshme. Nevojiten dy doza me 4 javë distancë, në mënyrë intramuskulare.

Ku do të prodhohet?

Grupi ka hyrë në marrëveshje prodhimi me gjigantët farmaceutikë “Bayer” dhe “GlaxoSmithKline” (bashkëpunim për të prodhuar dhe shpërndarë këtë vaksinë dhe për të zhvilluar dhe prodhuar një ose më shumë vaksina polivalente kundër varianteve në vitin 2022) dhe kompani të tjera. BE, në sajë të financimit të kompanisë (mbështetur gjithashtu nga 250 milionë euro nga qeveria gjermane), duhet të jetë përfituesi më i madh i furnizimeve, 225 milionë doza të pritshme.

Elon Musk, pronari i makinës elektrike “Tesla”, gjithashtu ka treguar interes për projektin. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump u përpoq të bindte grupin “Tübingen” për të zhvendosur kërkimet në SHBA.