Bota Mbesa e Adem Jasharit: Dita kur policia serbe masakroi familjen time

Mbesa e Adem Jasharit: Dita kur policia serbe masakroi familjen time

Në mars 1998, forcat serbe të sigurisë sulmuan familjen e figurës udhëheqëse të UÇK-së, Adem Jashari, që qëndronte pas një serie sulmesh ndaj policisë në Kosovë, shkruan BBC.

Pas tri ditë bombardimesh, Adem Jashari, një anëtar themelues i UÇK-së, dhe më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij të madhe u vranë.

E mbijetuara e vetme ishte mbesa e Jasharit, Besarta, e cila në atë kohë ishte 10 vjeçe.

Në një intervistë për rubrikën ”Dëshmitari” ajo tregon për ditën kur humbi familjen e saj.

”Më kujtohen shumë gjëra për xhaxhain tim, Ademin. Më kujtohet se kur ne fëmijët mblidheshim për të luajtur, ai kishte shumë qejf të vinte të luante me ne. Shkurt, ne kemi qenë një familje e lumtur. Ademi është munduar gjithmonë që ta mbante larg nesh atë që po ndodhte në Kosovë”, thotë Besarta.

”Kam qenë 10 vjeçe, kur ka ndodhur ngjarja. Që prej asaj dite, ajo ngjarje nuk më hiqet nga mendja. Më kujtohet, gjithashtu, që nëna na përqafonte, mundohej që ne të mos trembeshim, na jepte bukë dhe ujë”, shton ajo.

”Kur u afruan serbët, unë kam lëvizur nga kjo dhomë dhe kam shkuar në një tjetër. U fsheha te vendi ku përgatisnim bukën. Serbët gjuajtën me granata e bomba, në dhomën ku ndodheshin të gjithë të tjerët, duke i vrarë ata, por unë shpëtova pa u lënduar. Nuk pësova as edhe një gërvishtje nga tërë ato granata e bomba”, thotë Besarta.

”Më kujtohet gruaja e Ademit, e cila vdiq pranë meje. Unë u shtira si e vdekur. Kur erdhën serbët, ata nisën t’i preknin njerëzit për të kuptuar nëse kishte ndonjë të gjallë. Ata e vunë re që unë s’isha e vdekur dhe më nxorrën jashtë për te një fushë lart shtëpisë. Rrugës për atje, pashë motrën time, që ishte ende gjallë. U thashë atyre se ajo ishte motra ime, që ajo ishte ende gjallë. U thashë të ndalonin për ta ndihmuar atë, por ata nuk më lejuan dhe më larguan prej andej me një makinë”, vazhdon rrëfimin mbesa e Adem Jasharit.

”Kur mendoj se çfarë i ka ndodhur familjes sime ose në Kosovë, e gjithë kjo më shtyn të vazhdoj përpara me jetën time, që ta bëj krenar babain tim. Ka net që, kur bie për të fjetur, kur mbyll sytë, më kujtohet gjithçka që ka ndodhur. Unë nuk e di se përse nuk më vranë. Mund të them vetëm se është puna e Zotit”, përfundon ajo.

”Në vitin 1999 forcat serbe u larguan nga Kosova pas fushatës ajrore së NATO-s dhe në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë”, përfundon BBC.