Aktualitet 6 raste të reja me Covid-19: Kalon mbi 1 mijë totali i...

6 raste të reja me Covid-19: Kalon mbi 1 mijë totali i të prekurve

1004 persona janë infektuar deri më tani nga koronavirusi në vendin tonë. 6 raste pozitive janë identifikuar në 24 orët e fundit.

“4 raste janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit. 6 raste janë të shëruar në 24 orët e fundit”, deklaroi dr. Eugena Tominin nga Instituti i Shëndetit Publik

Në Spitalin Infektiv që është i vetmi spital për trajtimin e rasteve me koronavirus në vendin tonë nuk ka patur shtim të rasteve.

“Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive”.

Epidemiologët e vlerësojnë të qëndrueshme situatën e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.

“Kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit”, dr. Eugena Tominin.

Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid-19.