Bota Mbi 12 vjet burg për “Lady Camorra”/ Bosja e mafias frymëzim edhe...

Mbi 12 vjet burg për “Lady Camorra”/ Bosja e mafias frymëzim edhe për serialin “Gomorrah”

E ashtuquajtura “Lady Camorra” u dënua me 12 vjet e 8 muaj burg nga drejtësia italiane. Maria Licciardi, e njohur me nofkën “a piccerella” (e vogla) ishte një prej bosëve në krye të sistemit kriminal të themeluar nga vëllezërit e saj në Napoli të Italisë. Arrestimi i saj u bë më 8 gusht 2021, kur karabinierët e ndaluan atë para se të largohej nga Italia. Ajo u prangos në aeroport duke tentuar të shkonte tek vajza e saj në Spanjë. Gjykata e Napolit thotë në vendimin e saj se Maria Licciardi ishte kreu i shoqatës “Camorra” të themeluar nga vëllezërit Gennaro të njohur me nofkat “Majmuni”, “Pierino”, “O barge” dhe Assunta.

Ajo kishte krijuar lidhje edhe me klanet Contini dhe Mallardo duke krijuar atë që njihet si “Aleanca Secondigliano”. Brenda saj ishte edhe një galaktikë grupesh të tjera të vogla. Të paktën 100 persona ishin nën urdhrat e Maria Licciardi. Dënimi i saj u reduktua për shkak të procedurës së shkurtuar pasi nëse do të shqyrtohej në një seancë normale ajo do të merrte gati 20 vjet.

Ishte pikërisht ajo që frymëzoi personazhin e Chanel në serialin e famshëm “Gomorrah”.

Personazhi i Chanel në serialin “Gomorrah”

“Lady Camorra” u arrestua nga skuadra antimafia e Napolit në aeroportin Ciampino teksa po bëhej gati të shkonte në Malaga. Prokurorët kishin frikë se ajo do të largohej nga Italia. Karabinierët e ndaluan pak para se të nisej. Edhe atëherë ajo u tregua e ftohtë dhe e sigurt, siç i ka hije dikujt për të cilën antimafia besonte se ishte shefi më i fuqishëm në qytet.

“Lady Camorra” menaxhoni në mënyrë të suksesshme klanin e saj për dekada. “Aleanca Secondigliano” nën drejtimin e saj forcoi dimensionin e saj në prodhimin dhe tregtimin e të gjitha llojeve të mallrave. Trafiqet ndërkombëtare, por edhe administrimi i një “fondi të përbashkët” për të mbështetur familjet e klanit bëri që të shmangeshin dezertimet dhe të penduarit e drejtësisë. Një nga të penduarit e quajti si një “mendje e zonjë” duke nënvizuar kthjelltësinë e saj në të bërit biznes.

Maria Licciardi pas arrestimit

Emri i saj u shfaq gjithashtu në hetimin për vjedhjen e një kopjeje shumë të çmuar të pikturës “Salvator Mundi”, apo Bekimi i Krishtit, një pikturë e vitit 1400 që i atribuohet Shkollës së Leonardo da Vinçit. Ajo u vodh nga bazilika e San Domenico Maggiore në Napoli, por u gjet nga Policia më 16 janar 2021, në rrethin Ponticelli. Vjedhja e pikturës dhe gjetja e një blerësi nxori në dritë edhe emrin e Maria Licciardit.

“Lady Camorra” i ofroi mbështetje elektorale edhe një kandidati në zgjedhjet rajonale, por që nuk arriti të fitojë. Metodat mafioze janë përdorur edhe prej saj për të zgjidhur çështje personale. I tillë është rasti kur nipi i saj kishte humbur 450 mijë euro nga shitja e një vile familjare në liqenin Garda. Paratë ia kishte marrë nga një grua me të cilën si ishte në një lidhje romantike. Për të zgjidhur çështjen, ajo shkoi bashkë me të fejuarën e nipit të saj dhe e terrorizoi gruan me fjalë të ngjashme për një film horror. “Do t’i lidh nipat e tu pas makinës dhe do të bëj të qash pa të të goditur” – ishin fjalët për të rimarrë paratë.