Bota Mbi 15 milionë raste me Covid-19 në Europë, kryeson Franca

Mbi 15 milionë raste me Covid-19 në Europë, kryeson Franca

Më shumë se 15 milionë njerëz në Europë janë infektuar me koronavirus, duke e bërë atë rajonin më të goditur në botë. Autoritetet shpresojnë se masat e reja kufizuese do të ndihmojnë në vënien e situatës nën kontroll.

Këtë javë, Franca u bë vendi i parë europian me mbi 2 milionë raste të infektimeve me koronavirus, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Autoritetet franceze thonë se masat e fundit kufizuese po sjellin një farë suksesi në frenimin e përhapjes së koronavirusit, megjithëse pandemia është ende larg fundit të saj.

“Mendoj se duhet të vazhdojmë të jemi të matur. Nuk duhet të krijojmë përshtypjen se kriza është prapa nesh. Ne jemi akoma në një situatë serioze në vendin tonë. Punonjësit shëndetësorë janë ende nën presion ekstrem në spitalet tona”, tha zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal.

Disa banorë thonë se nuk dinë se çfarë të bëjnë. “Unë nuk mendoj se ne e dimë se si është gjendja aktualisht. Francezët kanë frikë, ata po luftojnë me koronavirusin dhe disa prej tyre po vuajnë nga depresioni”, thotë Jacques, një banor i Parisit.

“Ne e quajmë këtë izolim, por më duket se njerëzit janë jashtë, kështu që kjo nuk është zgjidhja e duhur. Për mua zgjidhja e vërtetë është vendosja e masave totale të izolimit ashtu siç u bë në fillim. Kjo është mënyra e vetme për të frenuar pandeminë”, thotë Sebastien, një tjetër banor i Parisit.

Edhe në Rusi këtë javë numri i rasteve të koronavirusit arriti në mbi 2 milionë. Rusia është e pesta në botë për nga numri i rasteve të koronvirusit.

Svetlana Zeynalova, mjeke në një spital lokal, thotë se situata po përkeqësohet me shpejtësi.

“Tani ne pranojmë një numër mjaft të madh të pacientëve, pothuajse çdo ditë. Numri i rasteve po rritet, kështu që kapaciteti spitalor dhe ngarkesa për punonjësit mjekësorë po rriten gjithashtu. Pacientët vijnë në një numër të madh tani.”

Në Gjermani, zyrtarët shëndetësorë thonë se situata e koronavirusit është akoma shumë serioze edhe pse numri i infeksioneve nuk po rritet aq shpejt.

“Numri i vdekjeve është ende shumë i lartë”, tha Lothar H. Wieler, president i Institutit Robert Koch në Gjermani. Vendimet mbi masat e mëtejshme të kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit u shtynë për javën e ardhshme.