Bota Mbi 16 mijë raste të reja në Itali, autoritetet: Në Milano po...

Mbi 16 mijë raste të reja në Itali, autoritetet: Në Milano po përgatitemi për ”luftë”

Nuk njeh më zbritje bilanci italian i koronavirusit. Janë më shumë se 16 mijë rastet e regjistruara në 24 orë te fundit nga autoritetet shëndetësore, me më shumë se 177 mijë testime të kryera.

Në rritje edhe viktimat, 136, shifra që nuk regjistroheshin nga maji i kaluar. Po mbushen ndërkohë edhe sallat e terapisë intensive, ku ndodhen aktualisht 992 persona.

Ndërkohë rriten rastet në Veneto (1325), Toskana (1145), Lacio (1251) dhe Kampanja (1541), por është sërish Lombardia dhe veçanërisht metropoli kryesor i Italisë së veriut, Milano, që rrezikon të shndërrohet në një vatër infektimi me pasoja të paparashikueshme.

Sot në Lombardi u regjistruan 4126 pozitivë, kryesisht në Milano. Sipas Massimo Galli, drejtori i spitalit të sëmundjeve infektive “Sacco”, “po përgatitemi për betejën e Milanos. Herën e kaluar e kemi shmangur nga mbyllja e shpejtë e qytetit. Por tashmë qarkullimi në qytet është shumë i madh, do na duhet të hapim reparte të reja për COVID. Mund të bëhej diçka më shumë dhe më parë”.

Autoritetet bënë të ditur edhe bilancin tragjik të mjekëve që kanë ndërruar jetë për shkak të pandemisë, që nga shkurti janë 182.