Opinione Mbi broçkullat e Mustafa Nanos në gazetën serbe Danas

Mbi broçkullat e Mustafa Nanos në gazetën serbe Danas

Mënyra se si i serviloset Mustafa Nanoja gazetës sërbe Danas, është e neveritshme. Duket sikur kërkon të jetë “i hapur” (dhe e thotë me gjysmë zëri), por është kokrra e frikacakut që s’është në gjendje të thotë hapur as edhe një të mijtën e të vërtetavet. Duket sikur kërkon të shfaqet “objektiv”, por të gjitha përgjigjert e tija janë shtrembërime subjektivë të të vërtetavet, të cilët ndër shqiptarët (e kthjellët) ngjallin indinjatë e revoltë, ndërsa ndër sërbët (e khjellët) krijojnë heshturazi ndjenjën bezdisëse të përçmimit.

Mirëpo, intervista nuk është bërë për të kthjelltët. Intervista është bërë me qëllim që mendjet e turbullta, që fatkeqësisht nuk janë të pakta, të turbullohen edhe me shumë.

Me qëndrimin që ka mbajur në atë intervistë, Mustafa Nanoja e ka poshtëruar kombin e vet, e ka poshtëruar profesionin e gazetarit, por, mbi të gjitha, e ka poshtëruar vetëveten si njeri. Krijon përshtypjen sikur është nën torturë. Nuk është aspak i lirë dhe aspak krenar. I mbërthyer prangash të servilizmit, por edhe të injorancës, ai nuk është në gjendje të formulojë as edhe një fjali dinjitoze si njeri, le më si gazetar apo si njëri nga “përfaqësuesit” e inteligjencës shqiptare.

Janë mijëra shqiptarë të cilët u janë nënshtruar torturave më çnjerëzorre nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, por nuk kanë bërë para hetuesvet deklarata kaq përulëse. Lexojini procesverbalet e hetuesive dhe do të shihni çfarë heronjsh kanë qenë ata vajza e djem, shpeshherë jo më të mëdhenj se njëzetvjeçarë, mbajtur nëpër qelira me muaj e me vite! Ndërkaq, ata të burgosur që shpreheshin para hetuesvet, para prokurorëvet dhe para gjyqtarëvet, kështu siç po shprehet tash Musafa Nanoja para gazetës Danas, quheshin qyqarë. Quheshin mjeranë dhe mëshiroheshin prej të njohurvet. Por Mustafai nuk është burgosur, as nuk është rrahur! Kjo është çudia dhe kjo bën që Mustafait të mos i mjaftojnë as epitetet qyqar e mjeran!

Mustafai ynë është një servil vullnetar. Ai, me sa duket, vdes për t’u hyrë qejf pushtetarëvet sërbë dhe s’i shkon fare mendja që shumë lexues serbë pjerdhin me gojë kur i lexojnë të tilla deklarime.

“Midis rreshtavet kam pikasur një qëndrim disi kritik të Zoranit ndaj zëravet që përpiqen të mbajnë gjallë iluzionin se asgjë nuk ka ndryshuar, se Kosova do të mbetet e Sërbisë. Ndërsa unë nuk jam ndalur te kjo çështje.” Pra Mustafai nuk është ndalur te çështja nëse Kosova do t’i mbetet Sërbisë! Mustafait aq i bën, mbetet apo jo Kosova nën Serbinë!

Megjithkëtë, ai më poshtë do të japë edhe “orientime”: “Një Kosovë (me kufijtë e sotëm) vetëm për shqiptarët nuk mund të ekzistojë… Kosova është edhe e sërbëvet të saj.” Kështu, simbas Mustafait, një Kosovë me mbi 90% shqiptarë nuk mund të jetë vetëm e shqiptarëvet, por duhet të jetë “shtet e shoqëri… me garanci të plota për respektimin e pakicës sërbe”.

E para, duket sikur shqiptarët e Kosovës nuk u paskan dhënë “garanci të plota” sërbëvet për t’i pasur të gjitha të drejtat që u takojnë si pakicë dhe u dashka Mustafai t’ua bëjë këtë vërejtje bashkëkombavet “keqtajtues” të sërbëvet! E dyta, bie në sy që Mustafait as që i shkon mendja të kërkojë “garanci të plota” psh edhe për romët, boshnjakët apo malazezët që gjithashtu jetojnë në Republikën e Kosovës. E treta, Mustafai kërkon “garanci të plota” për pakicën sërbe, por nuk guxon apo ndoshta nuk i shkon mendja të bëjë krahasimin psh me algjerianët që jetojnë në Francë apo me disa miliona turq që jetojnë në Gjermani. Algjerianët në Francë gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë, turqit e të tjerë imigrantë gëzojnë në Gjermani të gjitha të drejtat që u takojnë. Ç’të drejta më shumë duhet të kenë sërbët në Republikën e Kosovës?!

Mustafai po thotë që “Kosova është edhe e sërbëve të Kosovës”. Edhe unë ashtu po them: Kosova është edhe e atyre sërbëve që kanë lindur dhe që jetojnë në Kosovë. Mirëpo, mbasi të kemi thënë kështu, le ta bëjmë një paralelizëm të arsyetueshëm. SHBA-ja është edhe e anglezëvet të SHBA-së. Por anglezët e SHBA-së kanë luftuar me armë kundër ushtrisë kolonizuese të Anglisë. A e njeh këtë fakt Mustafai?! Sa sërbë të Kosovës u rreshtuan në radhët e UÇK-së?! Sa sërbë të Kosovës luftuan me armë kundër policisë dhe ushtrisë sërbe, polici dhe ushtri të ardhura nga Sërbia?! Sa deputetë sërbë të Kuvendit të Republikës së Kosovës po thonë sot: Ne jemi sërbë të Kosovës. Sërbia duhet ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sërbia nuk duhet të ketë pretendime, as për Mitrovicën e Veriut dhe as për ndonjë pjesë tjetër të këtij shteti dhe Sërbia nuk duhet t’u japë rroga sërbëvet të Kosovës, me qëllim që ata të vazhdojnë të sillen si kolonizatorë në Kosovë. Nuk po flas për “deputetët” që i ka caktuar Ahtisari që nga Finlanda. Po flas për deputetët që janë zgjedhur prej atyre sërbëve që kanë lindur në Kosovë dhe që jetojnë në Kosovë.

Derisa po flasim për SHBA-në, le ta bëjmë edhe një paralelizëm tjetër. Në SHBA jetojnë miliona zezakë dhe SHBA-ja është krejt natyrshëm edhe e zezakëvet të SHBA-së. Madje puna arrin deri atje, sa ndonjëri prej tyre bëhet edhe president i SHBA-së. Po në qoftë se ata zezakë, prurë dikur në Amerikë si skllevër, çohen një ditë dhe thonë që SHBA-ja është “Afrikë e Vjetër” dhe, rrjedhimisht, SHBA-ja është pjesë e Afrikës?! Mustafai ynë nuk duhet të harrojë se fjala sllav vjen nga sclavus dhe fjala sërb vjen nga servus. Nuk dua kurrsesi, me këta dy emra, t’i fyej sllavët në përgjithësi apo sërbët në veçanti. Por edhe ata duhet të kenë kujdes për të mos i fyer shqiptarët. Ata sërbë që nuk po pranojnë të heqin dorë nga pushtimi i Kosovës, ç’duan të thonë me shprehjen “Stara Srbija” (“Sërbia e Vjetër”)? A nuk është Dardania, banorë të së cilës janë shqiptarët e sotëm, pasardhës të dardanëvet, më e vjetër edhe se krejt Sërbia?! Pse nuk po u thotë Mustafai politikanëvet të Beogradit: Hiqni dorë nga emërtimi “Stara Srbija”, sepse kjo është njëlloj sikur zezakët, në gjuhët e Afrikës, t’i thoshin Amerikës “Afrika e Vjetër”!

“Opcioni i dytë”, thotë Mustafai, “është që Kosova të ndahet”. Po çfarë ndodh, simbas Mustafait, nëse Kosova ndahet?! Nëse Kosova ndahet, “sërbët shkëpusin çdo lidhje me Kosovën”. Ç’do me thënë kjo që “sërbët shkëpusin çdo lidhje me Kosovën”? A i shkëpusin lidhjet e fqinjësisë me Sërbinë?! A i shkëpusin lidhjet tregtare?! Apo mos mendon Mustafai që, nëse sërbët, me “opcionin e ndarjes”, marrin Mitrovicën Veriore, Leposaviqin dhe Zveçanin, humbin të drejtën për të pretenduar edhe mbi pjersët e tjera të Kosovës?! Gjithsesi, këtu Mustafai nuk e ka aspak hallin e shqiptarëvet, por qan hallin e sërbëvet dhe thotë: “A janë të gatshëm sërbët për këtë zgjidhje?” Dhe, veç kësaj, Mustafait as që i shkon mendja të thotë që nuk duhet të ketë kurrfarë “opcioni” për ndarjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës. Se mjaft na kanë ndarë e copëzuar! Nuk i shkon mendja, ose ka frikë, ose ashtu e ka interesin.

E gjithë intervista është e mbushur me broçkulla. “Elitat shqiptare kanë bërë dëm më pak në Ballkan, por kjo ka ndodhur prej pafuqisë e jo prej ndonjë disponimi më të fisëm”. Çfarë duhet të kuptojmë me “elitë shqiptare”? A duhet të kuptojmë një Jeronim de Radë, një Zef Juban, një Dora d’Istri, një Naim Frashër, një Sami Frashër, një A.Z.Çajup, një Ndre Mjedë, një Shtjefën Gjeçov, një Gjergj Fishtë? Apo ndoshta Mustafai e ka fjalën për një kategori tjetër të elitës shqiptare? Për një Ymer Prizren, për një Abdyl Frashër, për një Sylejman Voksh, për një Idriz Sefer, për një Dedë Gjo Lul, për një Hasan Prishtinë, për një Çerçiz Topull, për një Azem Galicë?! Këta njerëz, të dyja kategoritë, a sepse nuk patën fuqi, prandaj “e dëmtuan më pak Ballkanin”?! A i mungonte “disponimi i fisëm” kësaj elite, se për ndryshe do t’i paskëshin masakruar sërbët deri në Shumadi e përtej Shumadisë?!

Pak më poshtë broçkulla edhe më e fortë: “Pionierët e kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX e merrnin frymëzimin edhe prej vibrimit inelektual sërb të asaj periudhe”. Kush e mori frymëzimin “prej vibrimit intelektual sërb”? Cili? Gjergj Fishta që pat studiuar në Bosnjë? Shtjefën Gjeçovi? Isa Boletini? Idriz Seferi? (Një ndjekës i vogël i kësaj plejade korifejsh të Kombit Shqiptar, në këtë aspekt, do të isha edhe unë.) Dhe ja çfarë duhet të dijë Mustafai i ynë për këtë lloj „frymëzimi“ prej këtij lloj „vibrimi“: Që të gjithë këta, sa më shumë që e njihnin veprimtarinë antishqiptare të, ta quajmë kështu, „elitës negative sërbe“, aq më me vendosmeri pozicionoheshin kundër asaj „elite“. Kundër asaj „elite“, që guxonte të hynte në tokat tona, duke frymëzuar e shtyrë masat injorante për të bërë krime mbi popullin tonë, por asnjëherë kundër atyre kombeve, nëse rrinin në punë të vet në atdheun e tyre!

Nëse dikush, në atë shekull zgjimi të përgjithshëm, do t’u thoshte shqiptarëvet, „Zgjohuni edhe ju!“, siç edhe tha A.Z.Çajupi: „Mos rri, po duku, shqipëtar!“, a do të thoshte kjo që ky „vibrim“ i vinte Kombit tonë prej Sërbisë!? Mos, more!

Në lidhje me „krimet“ që shqiptarët paskan kryer ndaj sërbëvet në Kosovë, Mustafai ka një qëndrim që mund të krahasohet kështu: Në shtëpinë e Mustafait kanë hyrë, shtetërisht të organizuar, nja dhjetë dhunues e plaçkitës. I kanë marrë Mustafait çdo gjë që u ka hyrë në punë, i kanë vrarë Mustafait dy apo tre vëllezër, ia kanë përdhunuar Mustafait gruan, motrën edhe nënën dhe, në përleshje e sipër, njëri nga djemtë e Mustafait, e ka vrarë njërin prej dhunuesvet… Tani Mustafai del edhe thotë: “Po, kemi bërë edhe ne krime! Edhe djali im është kriminel, sepse e vrau njërin prej atyre që ia kish hipur gruas sime!“

Ky është gjykimi i Mustafa Nanos! Dhe ai, për ta bërë “të parrëzueshëm” këtë lloj gjykimi, mbështetet në një raport ndërkombëtar. Sepse s’i ka parë me sy, me sytë e vet, krimet që kanë bërë sërbët, shtetërisht të organizuar, ardhur që nga Sërbia, në Atdheun e tij! Le që, në asnjë rresht të përgjigjevet të tija, nuk duket që Mustafai e konsideron Kosovën pjesë të Atdheut të vet. Ai është tmerrësisht i prapambetur!

Për Mustafain tonë është gati e pakoceptueshme se si ndodhi që NATO-ja “e krishterë”, (me gjithë Turqinë brenda, Gj.D.), u pozicionua kundër një “shteti të krishterë” dhe në përkrahje të një vendi “me shumicë myslimane”. Aq më tepër që “Kosova nuk ka pasuri natyrore”!, thotë Mustafai. Ç’e shtyn Perendimin ta bombardojë Beogadin?! Kështu mençuron Mustafai ynë dhe nuk ka Zot që ta kthjellojë, sa kohë që gjendet përballë një gazetari të Sërbisë!

Kur intervistuesi e pyet Mustafain, a duhet të kërkojë falje Sërbia për krimet e kryer në Kosovë, Mustafai, “patriot” , “demokrat”, por edhe “internacionalist” i përgjigjet intervistuesit: “Nuk pres që kjo ndjesë të kërkohet sot.” Në vend që të thotë: Sërbia duhet të dënohet për krimet që ka kryer në atdheun tim!, ai edhe ndjesën e shtyn për kalendat greke! Të lumtë, bashkëkrahinasi i Riza Cerovës! Riza Cerova do të çohej nga varri dhe do të të pështynte!

…Dhe në fund, për ta bashkuar servilizmin me injorancën e vet, për të gatuar ashtu një gjellë që ta çon të vjellët deri në grykë, Mustafai arrin të pranojë që edhe ndër shqiptarët paska ekzistuar një “projekt i Shqipërisë së Madhe”! Intervistuesi e pyet: “Si i shihni projektet e Sërbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe?”, dhe Mustafai përgjigjet: “Nuk e di çfarë thuhet, mendohet e besohet në Sërbi lidhur me Sërbinë e Madhe. Më mungon informacioni. Ndërsa në Shqipëri projekti i Shqipërisë Madhe nuk ekziston më.”

Kështu, për Sërbinë e Madhe, Mustafai gënjen se i mungon informcioni, sepse ai duhet t’i njohë fort mirë edhe tezat e Garashaninit, edhe ato të Çubrilloviqit, si dhe faktin që ato teza as sot e kësaj ditë nuk janë braktisur prej “elitës sërbe”. Mustafai duhej ta dinte që edhe mosnjohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Sërbisë, është një përpjekje për të mos hequr dorë nga projekti i Sërbisë së Madhe, ashtu si edhe krijimi i të ashtuquajturavet zajednica sërbe mespërmes shtetit të Kosovës, s’është tjetër, veçse mos’heqje dorë prej atij projekti.

Ndërkaq, kur thotë se “në Shqipëri projekti i Shqipërisë së Madhe nuk ekziston më”, Mustafai ynë e pranon që ai projekt dikur paska ekzistuar. Po cili është ai projekt? Kush e ka hartuar? Ku dhe kur është botuar? Mos e ka shkruar Sami Frashëri? Apo ndoshta Mit’at Frashëri?

„Nuk ekziston më“ do të thotë se një projekt i tillë paska ekzistuar, gjë që përbën një shpifje të pastër. Megjithatë, unë jam i detyruar të ndalem pak në këtë pikë. Cila do të ish “Shqipëria e Madhe”, nëse do të ekzistonte një projekt i tillë? Ajo Shqipëri që na e kanë lënë Rilindësit në valën e përpjekjevet për t’u çliruar nga Perandoria Osmane? Apo ajo Shqipëri që do të dilte prej fshirjes së kufijvet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë? As njëra, as tjetra.

Krahasuar me “arsyetimet” e Naçertanies, që Sërbinë e Madhe e shikon nën lupën nostalgjike të shtetit mesjetar të Nemanjiqëvet, dhe me “arsyetimet” e Megaliidesë që Greqinë e shikon nën lupën nostalgjike të Perandorisë së dikurshme Bizantine, “Shqipëria e Madhe” do të mund të “projektohej” vetëm mbi bazën e shtetevet të dikurshëm iliro-epiro-maqedonë, të cilët shtriheshin nga Istria deri në Ambraki dhe nga Adriatiku e Joni deri në Moravë e Vardar. Mirëpo, një projekt i tillë, hartuar simbas shembullit të Naçertanies dhe Megaliidesë, ndër ne shqiptarët nuk ka ekzistuar dhe as që mund të ekzistonte pa luajtur mendsh ndonjëri prej “ideologëvet” tanë. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’po përrallit ky Mustafai ynë përpara atyre lexuesve sërbë që propaganda sërbomadhe i ka kurdisur së prapthi?!

A mos u sëmur nga mendtë ky njeri, se shkoi njëherë në Beograd?! Apo ish i sëmurë (lexo: i çorientuar) prej kohësh?! Në Beograd kam shkuar edhe unë, por nuk jam qorrollepsur. Në Beograd kanë shkuar edhe mijëra shqiptarë të tjerë, por nuk janë qorrollepsur kështu. Madje unë kam pasur dhe kam kontakt me kulturën sërbe dhe kam njohuri mbi politikat e „elitavet sërbe“ dhjetëra herë më shumë se Mustafai. Dhe dua të theksoj këtu me të madhe: Asnjëherë nuk i kam urrejtur dhe nuk i urrej fqinjët tanë. Pëkundrazi, vlerësoj çdo gjë të mirë që kanë ata. Dhjetë vjet të shkollimit tim i kam kryer në gjuhën sllave. I njoh historinë dhe kulturën e sllavëvet, sidomos të sllavojugorëvet, jo vetëm prej shkollimit, por edhe sepse i kam studiuar, midis tjerash, me qëllim për t’i njohur, sepse pa e njohur në thellësi dhe në imtësi një objekt, njeriu nuk mund të flasë për të me kompetencë.

Kam shkruar e botuar për marrëdhëniet arbro-sllave, e në vazhdim shqiptaro-sllave, me qindra faqe. Në librin tim „Shestani“ vëll. i dytë, më se 600 faqe i kushtohen kësaj teme. Libri “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, 220 faqe, ka për qëllim pikërisht t’i përmirësojë marrëdhëniet e fqinjëvet tanë me ne, nëpërmjet njohjes së të vërtetavet. Të njëjtin qëllm kanë edhe tre libra të tjerë, poema “Prush plagësh të pambyllura”, romani “Kriza e arkivistit, kronikë beogradase”, si dhe libri biografik “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, ky i fundit shkruar në bashkautorësi me shokun tim të ngushtë Fadil Cukaj.

Në asnjërin prej këtyre librave dhe në asnjërin prej dhjetëra studimeve e artikujve që flasin për marrëdhëniet shqiptaro-sllave, nuk ka as shovinizëm, as urrejtje ndaj popujvet sllavë. Por nuk ka as servilizëm apo jargosje.

Synimi i të gjithë krijuesvet shqiptarë, si dhe i politikanëvet tanë, që merren me këtë problem, sa të madh aq edhe delikat, duhet të jetë njohja e të vërtetavet dhe, nëpërmjet njohjes së të vërtetavet, KATARSISI i palës që e ka lënduar dhe rënduar kaq shumë popullin tonë. Pa një KATARSIS rrënjësor, të grekëvet, të sllavëvet dhe të turqvet, në pikëpamje të marrëdhënievet dikur me arbërit e tash me shqiptarët, nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë mirëkuptimi në hapësirat e kësaj pjese të Evropës.

Pikërisht për t’i shërbyer këtij qëllimi, nxitjes së KATARSISIT te popujt sllavojugorë, unë dy prej libravet të mi i kam shkruar e publikuar edhe në gjuhën sllavojugore qendrore. Njërin, librin polemik “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit” e kam shkruar edhe sllavisht, sepse pikërisht në Tivar po gjen shprehjen një veprimtari antishqiptare, sa e ashpër, aq edhe perfide. Tjetrin, romanin “Kriza e arkivistit, kronikë beogradase”, e kam shkruar dhe publikuar edhe në sllavisht, sepse pikërisht në Beograd e ka përqëndrimin më rrëziksjellës verbëria shoviniste, jo vetëm ndaj shqiptarëvet, por edhe ndaj kombevet të tjerë. Mjekimet duhet të bëhen në ato pjesë të organizmit ku sëmundja është shfaqur më e përqëndruar.

Përfundimisht, po dua t’i them dy fjalë edhe për redaksinë e gazetës Mapo, e cila e sheh të asyeshme dhe të nevojshme të botojë këllira si kjo intervistë e Mustafa Nanos. Intervista e Mustafa Nanos dhënë gazetës Danas të Beogradit, s’është tjetër, veçse këllirë mediatike, e cila u zë fytin dhe u kall krupën, si lexuesvet (të kthjellët) sërbë, ashtu edhe lexuesvet (të kthjellët) shqiptarë. Prandaj unë po i propozoj gazettes Mapo: Ftojini në ambientet e redaksisë suaj, pesë apo dhjetë gazetarë sërbë, përfqësues të gazetavet të ndryshme që dalin në Beograd, dhe më thërrisni edhe mua, që t’u përgjigjem pyetjevet të tyre. Do të flas në gjuhën e tyre, pastaj ta përkthejmë në shqip dhe të shohim si do të reagojë publiku, qoftë ai sërb, qoftë ky i yni.