Politika Mbledhja e çuditshme e Qeverisë, Rama dhe ministrat e PS-LSI braktisin “teknikët”...

Mbledhja e çuditshme e Qeverisë, Rama dhe ministrat e PS-LSI braktisin “teknikët” e PD

Të enjten pasdite, qeveria Rama me gjashtë ministrat teknikë u mblodh për herë të parë dhe miratoi aktin e parë të zbatimit të marrëveshjes politike Rama-Basha.

Mbledhja e Këshillit të Ministrave miratoi vendimin për “Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, që përcakton se si do të monitorohet administrata sipas marrëveshjes në fushatën zgjedhore.

Por mësohet se në mbledhjen e parë me ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, nuk ka marrë pjesë Kryeministri Rama. Kreu i qeverisë ishte të enjten në Tiranë, pasi mori pjesë në aktivitetet që ishin organizuar me rastin e 1 Qershorit, në lulishten prapa Kryeministrisë me fëmijët, por edhe në një takim elektoral në Njësinë Nr.5 në kryeqytet.

Mbledhja e Këshillit të Ministrave është drejtuar nga zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandija, në prezencë të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Por ajo që ka bërë përshtypje te ministrat e rinj teknikë, ishte fakti se, përveç ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, ministres së Financave, Helga Vukaj, ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ministres së Arsimit, Mirela Karabino, ministrit të Shëndetësisë, Arben Beqiri dhe ministres së Mirëqenies Sociale, Xhulieta Kërtusha, në tryezën e Këshillit të Ministrave nuk kishte asnjë ministër të PS-së apo dhe të LSI-së.

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme, e Integrimit, e Ekonomisë, e Transportit, e Zhvillimit Urban, e Kulturës, e Energjisë, e Mjedisit, e Bujqësisë dhe e Çështjeve Vendore, përfaqësoheshin vetëm nga zv.ministrat, duke krijuar çudi te ministrat e rinj. Por ndryshe nga mbledhjet e qeverisë që janë drejtuar nga ish-zv.kryeministri Niko Peleshi në mungesë të Kryeministrit Rama, vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave mban firmën e Kryeministrit Rama, edhe pse nuk ishte prezent në mbledhje.

Pas arritjes së marrëveshjes me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Rama sqaroi rolin dhe kompetencat e ministrave teknikë të propozuar nga opozita.

“Ministrat e rinj teknikë që do të zgjidhen me konsensus, natyrisht të propozuar nga opozita, do të jenë në detyrë si kujdestarë të etikës zgjedhore, që do të garantojë mospërdorimin e administratës në zgjedhje dhe ndalimin e çdo lloj forme presioni mbi punonjësit e shtetit për t’u marrë votën.

Ky është në thelb edhe dallimi i madh mes qeverisë teknike për të zbatuar një program të caktuar politik dhe ministrave teknikë që përfshihen me një afat konkret në një qeveri politike për të kufizuar përdorimin e mjeteve në dispozicion të qeverisë dhe ndaluar ndikimin politik mbi shtetin dhe të shtetit mbi njerëzit gjatë periudhës zgjedhore./Panorama