Aktualitet “Mbrojtje vetëm 3% nga doza e parë”, Brataj: S’është e vërtetë, një...

“Mbrojtje vetëm 3% nga doza e parë”, Brataj: S’është e vërtetë, një dozë e vaksinës kineze, 50% efektive

Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, foli në A2 edhe mbi efikasitetin e vaksinave, duke thënë se të gjitha ato që janë duke u aplikuar në Shqipëri, Pfizer, AstraZeneca dhe vaksina kineze, kanë mbrojtje mbi 70%.

Sa i përket lajmeve për një studim të fundit në Kili, sipas të cilit, doza e parë e vaksinës kineze ofron mbrojtje vetëm 3%, Brataj u shpreh se nuk është e vërtetë. Ai theksoi se në ditën e 14 pas marrjes së dozës së parë, vaksina kineze ofron 50% mbrojtje.

“Po shihja studimet e fundit për vaksinën kineze ku vërtetohet se nga 18 në 59 vjeç… ku 50% e efikasitetit të vaksinës kineze është me dozën e parë në ditën e 14, me dozën e dytë është shumë herë më shumë. Nuk kemi të dhëna për vaksinat e tjera. Këtu është një studim me 67 mijë veta të bëra në Brazil dhe po flasim për një variant tipik që është rezistent karshi të gjitha vaksinave. Sigurisht që një vaksinë që kap 50% mbrojtje është e këshillueshme. Gjithologët dalin dhe thonë mbrojtje 3%. Kjo është e tmerrshme. Në këtë moment të dalë gjithollogu, mbi të gjitha mjek, nuk e di për çfarë arsye, por është turp që të dalë një prej nesh dhe të gënjejë. Edhe mbas 25 prillit po ne do të jemi. Shkencën nuk e interpreton dot sipas qejfit.

Nuk dua të mbroj asnjë vaksinë, por njerëzit duhet t’i bëjnë të gjitha vaksinat që janë në Shqipëri pasi janë mbi 70%”, u shpreh Brataj në A2.

Kreu i Urgjencës Kombëtare parashikon një valë të tretë për shkak të grumbullimeve nga partitë politike, ku nuk respektohen masat.

“Nuk po respektohen masat. Ka grumbullime të vazhdueshme. Mua më shqetëson më shumë fakti i spostimit drejt qyteteve të vogla apo fshatrave të largëta që ishin thuajse të virgjëra. Vala e tretë nuk do të jetë asnjëherë si e para apo e dyta. Do të ketë një rritje fiziologjike, por asnjëherë ajo situatë që është parë në nëntor apo shkurt-mars. Më shqetëson fakti që nuk shoh asnjë parti politike që të bëjë thirrje, ruani distancën, mbani maska, por vazhdon ajo vala.

U drejtohem qytetarëve, nuk mund të jemi kaq të papërgjegjshëm, pasi pasojat janë të mëdha. Edhe Izraeli që është vendi i parë në botë në për vaksinimin, por sërish vdekshmëria është e lartë. Edhe nëse ke bërë dozën e parë apo të dytë, nuk të përjashton që të përhapësh virusin”.