Aktualitet Mbyllen 1500 faqe bastesh “online”

Mbyllen 1500 faqe bastesh “online”

Prej 1 janarit, çdo ditë dhjetëra faqe të basteve “online” po mbyllen. Kryesisht ato janë faqe të huaja, aktiviteti i të cilave evidentohet nga policia dhe Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit.

Jetmir Braha, drejtor i Drejtorisë së Autorizimeve (AKEP), tha: “Kohët e fundit kemi shumë shkresa nga Policia e Shtetit. Aktualisht, rezultojnë të mbyllura rreth 1500 faqe të basteve, nga të cilat gjysmat janë mbyllur nga policia dhe gjysma nga AMLF. AKEP i përcjell ISP-ve këto faqe dhe ndjek në vazhdimësi mbylljen e tyre”.

AKEP ka edhe një paralajmërim për ofruesit e shërbimeve të internetit: “Në bazë të ligjit, parashikohet kundravajtje administrative dhe penalizohen me gjobë ofruesit e shërbimeve internet që nuk i binden urdhrit për mbylljen e këtyre faqeve”.

Megjithatë, sipas informacioneve, ka ende faqe “online” të huaja ku mund të luhet kumar.

Ndërkohë, në vetëm 3 javë që prej hyrjes në fuqi të ligjit, policia janë proceduar penalisht mbi 20 persona për zhvillim të paligjshëm të lojrave të fatit.