Kryesore Mbyllet hetimi për lobimin rus, Lulzim Basha merret i pandehur

Mbyllet hetimi për lobimin rus, Lulzim Basha merret i pandehur

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për çështjen e lobimit rus, duke marrë të pandehur kryedemokratin Lulzim Basha.

Dosja për lobimin rus është dërguar në Gjykatën e Tiranës.

Mbi kreun e demokratëve rëndon akuza e falsifikimit të formularëve dhe pastrimit të parave.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur gjithashtu hetimin edhe për edhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristanin dhe financierin e PD, Ilir Dervishi.

Kryedemokrati dhe dy zyrtarët e tjerë janë marrë të pandehur për akuzat e financimit rus në fushatën elektorale të vitit 2017.

Lideri i opozitës akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA, e cila nuk është bërë nga PD, por nga një kompani “Biniata Trade”.

Sipas hetimeve nga dokumentet e dorëzuara nga autoritetet investigative amerikane rezultojnë pagesa direkte nga ana e Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të 2017 për 625.000 dollarë.

Partia Demokratike deklaroi ne Shqipëri vetëm 25 mijë dollarë, pra nuk njihet ende origjina e 600 mijë dollarëve që dyshohet të jenë para pa një burim të caktuar origjine.