Bota Me apo pa maska? SHBA rishikon udhëzimet

Me apo pa maska? SHBA rishikon udhëzimet

Shtetet e Bashkuara po rishikojnë udhëzimet që u kanë dhënë amerikanëve se nuk është e nevojshme për të përdorur maska si mbrojtje nga koronavirusi. Bazuar në përvojën e disa vendeve aziatike që kanë pasur sukses në luftën kundër epidemisë, zyrtarët po rishikojnë udhëzimet.

Arsyeja, thonë zyrtarët, është se mund të ketë plot persona në popullatën e gjerë që janë të infektuar por nuk shfaqin simptoma dhe maska, qoftë edhe një fasho e thjeshtë apo shall vetjak, mund të shërbejnë për të penguar përhapjen e infeksionit.

“Një përfundim që e kemi pak a shumë të konfirmuar është se një numër individësh janë bartës të virusit por nuk shfaqin simptoma,” tha Robert Redfield, Drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në një intervistë të martën për kanalin NPR. “Ndoshta 25% e të infektuarve nuk shfaqin simptoma,” tha zoti Redfield duke cituar shifra të publikuara nga Kina.

Koronavirusi është shumë më ngjitës, ndoshta 3-4 herë më ngjitës se gripi, tha zoti Redfield. Virusi përhapet përmes sekrecioneve që personi i sëmurë i përhap gjatë teshtimës apo kollës, por edhe kur pa mendje prek sipërfaqe të ndryshme në banesë apo ambjente të tjera.

Shalle dhe Shami për të Mbuluar Gojën dhe Hundën

Për momentin, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve këshillon që vetëm personat e sëmurë dhe ata që kujdesen për të sëmurët me COVID-19 duhet të mbajnë maska mbi fytyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Por këto këshilla mund të ndryshojnë së shpejti.

Ideja e përdorimit në masë të maskave mbështetet nga Presidenti Trump, i cili u bën thirrje amerikanëve të përdorin shalle apo materiale të tjera për të mbuluar gojën dhe hundën nëse nuk gjejnë në farmaci maska mbrojtëse.

“Ideja e përdorimit në masë të maskave, jo vetëm nga personeli mjekësor po diskutohet në këto momente,” tha Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive si dhe pjesëtar i grupit të punës të ngritur nga Shtëpia e Bardhë për të koordinuar përgjigjen ndaj koronavirusit.

“Deri tani kemi nguruar të nxisim njerëzit të blejnë maska, pasi më pas ndoshta nuk ka një numër të mjaftueshëm për të mbrojtur punonjësit e shëndetësisë që kanë nevojë të domosdoshme për to. Kur të kemi një sasi të mjaftueshme maskash, do ta analizojmë me kujdes rekomandimin për të përdorur maska në masë,” tha Dr. Fauci.

Shembulli Aziatik

Në Kinë, Singapor, Hong Kong dhe Japoni, maskat, dorezat plastike dhe në disa raste edhe çizme të posaçme shihen ngado. E njëjta situatë po shfaqet edhe në Evropë.

Në Republikën Çeke dhe në Slloveni, përdorimi i maskave është tani i detyrueshëm.

Kryeministri çek Andrej Babis të dielën i bëri thirrje Presidentit Trump të ndjekë shembullin e vendit të tij duke shkruar në Twitter “Një maskë e thjeshtë prej bezeje ul rrezikun e përhapjes së virusit 80%. Republika Çeke e ka bërë të detyrueshme që qytetarët e saj të vënë maska në mjedise publike”.

Francezët kanë filluar të qepin maska në shtëpi.

Shqetësimi është se njerëzit mund të bëhen të pakujdesshëm kur vënë maskë dhe mund të mos ndjekin këshillat për distancim social dhe për të larë duart shpesh dhe me kujdes.

Nju Jorku, qyteti i goditur më rëndë në Shtetet e Bashkuara dëshmon se ndër ata pak banorë që dalin për të kryer nevoja të përditshme apo për ushtrime fizike, shumë prej tyre janë me maska dhe ruajnë edhe distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri.

Por vënia e maskave nuk është përmendur ende në konferencat e përditshme për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku asnjë nga zyrtarët nuk shfaqet me maskë.

Gabe Kelen, drejtor i pavionit të urgjencës në spitalin Johns Hopkins në Baltimorë, shpreh shqetësim se nëse zyrtarët udhëzojnë popullatën të vënë maska, qoftë edhe nëse qytetarët këshillohen të bëjnë maska vetë në shtëpi, ata mund të shkojnë të blejnë maska ndërkohë që nuk ka një sasi të mjaftueshme për punonjësit e spitaleve.

Por ai shton se me rritjen e ritmeve të përhapjes në shoqëri, ndoshta vënia e maskave do të shërbejë për ta zbutur problemin.

Brandon Brown, epidemiolog in Universitetin e Kalifornisë në Riverside është i të njëjtit mendim.

“Kur të fillojë prodhimi në masë i maskave më të efektshme, ne të gjithë do të fillojmë t’i vëmë për mbrojtje personale pasi të hiqen masat e izolimit dhe të dalim në publik”.

“Për momentin,” thotë mjeku, “një mbulesë mbi fytyrë e bërë me një artikull vetjak ndihmon, qoftë thjesht pasi nuk na lë të prekim gojën apo hundën me duar”./VOA