Aktualitet “Më falni, e kam frikë burgun”/ 16-vjeçari rrëfen vrasjen e gruas në...

“Më falni, e kam frikë burgun”/ 16-vjeçari rrëfen vrasjen e gruas në Mallakastër

Pas arrestimit, tre të rinjtë, edhe pse kanë hezituar fillimisht të flasin, nuk kanë rezistuar gjatë. Nipi i burrit të viktimës, L. Saliaj, ka filluar të qajë gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë.

Mësohet se ai është shprehur para hetuesve se e ka frikë burgun. Ai ka pranuar krimin, duke thënë se u duheshin paratë, por çdo gjë u iku nga kontrolli pasi gruaja e kishte njohur dhe kishte nisë të bërtiste.

“Ne donim vetëm të merrnim paratë. Ajo më njohu dhe filloi të bërtiste, duke na trembur se mund ta na gjente Policia brenda. Nuk e kishim menduar ta vrisnim. Na doli jashtë kontrollit situata. Ju lutem, më falni se e kam frikë burgun”, mësohet të ketë thënë për hetimin 16-vjeçari L. Saliaj.

Krimin e kanë pranuar edhe shokët e tij, bashkëpunëtorë. Edhe ata kanë thënë se nipi i familjes i ka orientuar duke u thënë se në shtëpi nuk ka njerëz, por kur kanë ndeshur në rezistencën e gruas, kanë bërë edhe lidhjen e saj dhe më pas vrasjen dhe hedhjen në rezervuar.

Sipas informacioneve të grupit hetimor, gjendja e tyre psikologjike është mjaft e rëndë, ndërsa gjatë gjithë kohës 16-vjeçari, i cili është edhe nipi i burrit të viktimës, ka qenë duke qarë. Pas zbardhjes së krimit të rëndë, në Polici janë shoqëruar edhe familjarët e viktimës dhe autorëve të dyshuar.

Të afërmit e 50-vjeçares që bënë edhe denoncimin mëngjesin e djeshëm për zhdukjen e saj, kanë hedhur akuza të rënda ndaj të rinjve. Ata janë shprehur se autorët duhet të vuajnë dënimin më të rëndë për veprimin që kanë kryer. Ndërkohë, familjarët e autorëve janë pyetur nëse kanë pasur dijeni rreth veprimeve të të rinjve. Sipas burimeve, ata janë shprehur se nuk e kanë ditur se ç’ka bërë 16-vjeçari L. Saliaj me shokët e tij.

Po ashtu, ata mësohet të jenë shprehur se ditët e fundit i mituri ka qenë mjaft i heshtur dhe rrinte i menduar. Por kjo nuk i ka shtyrë ata që ta pyesnin se çfarë kishte ndodhur me të. Ngjarja ka ndodhur më 5 janar, ndërsa Policia bëri me dije se janë arrestuar tre persona për vrasjen, konkretisht: nipi i burrit të viktimës dhe dy shokë të tij.

Të arrestuarit janë: L. Saliaj, 16 vjeç, nip i burrit të viktimës, S. Shehaj, 16 vjeç dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.