Kryesore “Më kanë kërcënuar në zyrë”, Rudina Hajdari: Merrni masa para se të...

“Më kanë kërcënuar në zyrë”, Rudina Hajdari: Merrni masa para se të ketë ndonjë viktimë në Kuvend

Deputetja Rudina Hajdari ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit se është kërcënuar në zyrën e saj.

Ajo i bëri thirrje kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të sigurojë ambientet e Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.

“Nuk mund të ndodhë në vitin 2019 që deputetët të kërcënohen, e papranueshme që të kërcënohet një femër. Ka patur raste në zyrën time që kanë hyrë persona dhe më kanë kërcënuar. Ju lutem, zoti kryetar, merrni masat përpara se të kemi ndonjë viktimë në Parlament. Asnjë deputet të mos hyjë pa u kontrolluar dhe të mos lejohen të hyjnë deputetë me njerëz të tjerë dhe të shantazhojnë kolegët”, tha Hajdari.

Gramoz Ruçi i ktheu këtë përgjigje deputetes Hajdari duke thënë se kërkesën e saj ia kishte dorëzuar Ministrisë së Brendshme.

“Iu kam kërkuar punonjësve të shërbimit që brenda godinës të bëjnë detyrën. Kërkesën tuaj ia kam dorëzuar Ministrisë së Brendshme për shqetësimet që keni trajtuar”, tha Ruçi.