Kryesore Me kokainë dhe municion luftarak, përplasin makinën e policisë, arrestohen 4 persona...

Me kokainë dhe municion luftarak, përplasin makinën e policisë, arrestohen 4 persona në Durrës

Një operacion anti-drogë i policisë në Durrës i koduar “Nënkalimi” ka vënë në pranga 4 persona, 2 prej të cilëve me precedent të theksuar kriminal. Gjatë aksionit u sekuestrua 1 kg e 63 gramë kokainë dhe një armë zjarri.

Të martën rreth orës 14:15 tek nënkalimi i urës së Dajlanit, agjentët e policisë ndaluan një makinë BMË që drejtohej nga Edmond Gjyzeli 37 vjeç dhe pasagjer ishte Arian Plaku 46 vjeç i dënuar më parë për drogë. Brenda makinës së tyre u gjet sasia e kokainës.

Gjatë ndalimit nga policia, Edmond Gjyzeli përplasi me makinën e tij automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale dhe tentoi të nxirrte nga brezi armën. Por ai u neutralizua menjëherë dhe iu sekuestrua pistoleta me 14 fishekë.

Në kuadër të këtij operacioni ishin mbajtur në vëzhgim edhe nga agjentët e Forcës Operacionale edhe dy persona të tjerë; Ilir Peraj 52 vjeç i dënuar më parë për vrasje dhe mbajtje e ambienteve për prostitucion, si dhe Stavri Marku 60 vjeç. Këta të fundit dyshohet se janë të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.