Aktualitet “Më ndihmo më duhen lekë…”, historia e trishtë e një vajze që...

“Më ndihmo më duhen lekë…”, historia e trishtë e një vajze që e mashtroi i dashuri

“Jam në shkollë të lartë. Sa herë mbaroja mësimin, ulesha për kafe me shoqen time në një lokal pranë Parlamentit. Aty e njoha Erindin. Ka qenë shkurt 2017. Ne krijuam lidhje intime me njëri-tjetrin dhe një ditë, ishte maj kur Erindi më shkroi një mesazh. Më tha që kishte të ëmën shumë sëmurë dhe i duheshin lekë për ta kuruar. Më pas kur u takuam, ai filloi të qante, ishte i mërzitur dhe më tha “më ndihmo, më duhen lekë për nënën”.

Kjo është pjesë nga rrëfimi i Elinda L., dhënë para Policisë së Tiranës për ish të dashurin e saj, i cili po hetohet për mashtrim me pasoja të rënda edhe ndaj personave të tjerë, më e rënda ajo e zhvatjes së 70 mijë eurove të marra përmes mashtrimit Naim Muçës, që është shoku i tij. Erind Krasniqi i kishte premtuar se do t’i shiste një dyqan, por që më pas e ka kërcënuar se nëse ankohej, atëherë ai do urdhëronte vrasjen e tij. Këto kërcënime kanë ndodhur pranë vendit të quajtur “Varri i Bamit”, kur i mashtruari i kishte kërkuar t’i ktheheshin lekët dhe Erind Krasniqi e kishte kërcënuar se disa djem që prisnin jashtë, nëse do ta përsëriste kërkesën, do ta vrisnin. Është pikërisht ky episod për të cilin Erind Krasniqi po pret të dalë para gjykatës si i pandehur pas arrestimit të kryer pak muaj më parë. Por, pas arrestimit të tij, një kallëzim i dytë, ai i të dashurës së tij, Elindës, i ka lënë pa fjalë hetuesit.

Vajza ka treguar për 31-vjeçarin se në kushtet kur ankohej për të ëmën e sëmurë, ajo ka marrë një mijë euro në shtëpi dhe ia ka dhënë. Por si e zbuloi vajza që i dashuri i saj nuk ishte ai që shfaqej? Në kohën kur i kishte dhënë borxhin, Elinda ka konstatuar se kishte mbetur shtatzënë. “Pasi më tha se duhet të kryeja abort, i dashuri im foli me dikë në telefon, – kujton Elinda L. në kallëzim dhe më tha të shkoja te farmacia pranë ‘Nëntë Katësheve’”. Aty e ka pritur një vajzë tjetër që i ka shpjeguar se si duhet t’i përdorë ilaçet, ku për katër ditë ka pirë nga një kokërr. Dy javë pas abortit, studentja e ka takuar të dashurin dhe ai i ka thënë se ka bërë gjënë e duhur. Ndërkaq, në muajt në vazhdim, Elinda ka vërejtur një distancim të të dashurit me argumentin se kishte të ëmën shumë sëmurë. Në muajin dhjetor të të njëjtit vit, ai i ka kërkuar asaj edhe 2 mijë euro të tjera, kujton vajza.

“Unë paradite isha në shkollë, pasdite punoja në dyqan dhe i thashë që ai ende nuk më kishte kthyer 1 mijë eurot e para. Ai m’u lut, qau dhe vajtonte për të ëmën e sëmurë dhe më sugjeroi të merrja kredi për ta ndihmuar”, ka thënë vajza. Ditën që i është aprovuar kredia, e mashtruara ka telefonuar 31-vjecarin, të cilit i ka dhënë shumën e 2 milionë lekëve. Që nga ajo ditë, mashtruesi është zhdukur dhe as nuk hapte më telefonin.

I denoncuari rezulton sipas prokurorisë të jetë dënuar edhe herë tjetër për mashtrim dhe aktualisht mbahet në paraburgimin 313 për denoncimin e 70 mijë eurove. Pas denoncimit, ndaj tij janë regjistruar edhe veprat dhënie e mjeteve për ndërprerje shtatzënie, edhe mashtrim me pasoja të rënda dhe prokurorët kanë rihapur edhe një dosje tjetër të re për të riun që herë shfaqet miqësor dhe kërkon të ndihmojë miqtë, por pastaj mashtron dhe herë gjuante vajza të reja si Elindën dhe më pas i zhvaste./SI.al