Ekonomi Më pak alkool e cigare, më shumë kafe dhe pastërti, si po...

Më pak alkool e cigare, më shumë kafe dhe pastërti, si po ndryshon konsumi i shqiptarëve pas COVID-19

Si po reagojnë konsumatorët ndaj pasojave të COVID-19.Ndryshimi i sjelljes konsumatore, nga rendja drejt detergjentëve dhe produkteve më të lira drejt uljes së konsumit për pijet alkoolike. Por nga kafeja nuk heqin dorë

Shitjet e produkteve ushqimore dhe detergjentëve në 20 ditët e para të marsit shënuan 50% rritje, sipas kompanive kryesore në vend të tregtisë me shumicë dhe pakicë. Kompanitë raportojnë se produktet ushqimore mbeten më të shiturat, si dhe detergjentët dhe produktet e higjienës. Shitjet janë rritur edhe për ekspresët dhe kapsulat e kafesë nga familjarët.

Rënie u shënua për pijet alkoolike dhe energjike, për shkak të mbylljes të bareve dhe klubeve të natës. Edhe cigaret ishin me rënie, madje konsumatorët preferojnë të blejnë duhan të dredhur apo paketa me cigare të bëra manualisht. Tendenca është që konsumatorët, gjithmonë e më shumë, po orientohen drejt produkteve zëvendësuese me çmim më të lirë.

Shitjet më të larta për mallrat e lira

Konsumatori, në këtë periudhë, vazhdon të jetë i tërhequr në blerjet brenda shportës ushqimore të mbijetesës dhe është më i kujdesshëm në shpenzime për shkak të pasigurisë për të ardhmen, që duket se do të na shoqërojë për një periudhë të pacaktuar. Kompanitë kryesore në vend të tregtisë me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, pijeve alkoolike dhe energjike, kafesë, cigareve dhe detergjentëve raportojnë se konsumatorët po orientohen drejt produkteve zëvendësuese me çmim më të lirë.

“Klienti ka përdorur produkte të lira dhe nuk e bën dot dallimin që në fillim dhe vazhdon blerjen e produkteve të lira. Ju jap një shembull. Një detergjent i mirë e mbron një veshje edhe pas shumë larjeve, sepse ka përbërës që mbrojnë fibrat. Një produkt i lirë pas 10-15 larjesh i heq shkëlqimin. Por a e bën një analizë të tillë klienti pas 15 larjeve?”, pohojnë përfaqësues të kompanive të shitjeve me shumicë në vend.

Bien shitjet e cigareve dhe pijeve alkoolike, por jo të kafesë

Tregu i cigareve ka reflektuar rënie. Në këtë periudhë si tendencë është shfaqur orientimi i konsumatorëve drejt produkteve të lira, si duhan i dredhur apo paketa cigaresh të bëra manualisht nga duhani i grirë vendas. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, importet e cigareve ranë me 7.2% për 4-mujorin me bazë vjetore. Por tkurrja më e thellë ishte në prill, me -42%, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Rritje me disa herë të shitjeve ka pasur për ekspresët e kafesë për përdorim familjar dhe të kapsulave të kafesë.

Referuar mentalitetit dhe psikologjisë lidhur me traditën apo zakonet shoqërore, padiskutim që shqiptarët janë të lidhur me kafen. Periudha e pandemisë kufizoi lëvizjet e njerëzve, por nuk largoi dot dëshirën për të konsumuar kafe, qoftë edhe në kushtet e shtëpisë. Janë të shumtë ata që pa pirë kafen e mëngjesit nuk funksionojnë normalisht siç ka shumë të tjerë që duan të konsumojnë disa kafe në ditë. Kompanitë e kafenesë, gjatë kësaj kohe mundësuan përmes marketingut telefonik që të fusin në familjet shqiptare praktikën dhe makinerinë e ekspresit që më pas mund ta transferosh në vendin e punës apo kudoqoftë bashkëngjitur me një sasi kapsulash.

Importet e kafesë u rritën me 9.4% për 4-mujorin, ku në muajin prill u shënua niveli më i lartë të paktën deri në vitin 2014, me një rritje prej 21% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Kompanitë e tregtisë pohojnë se me hapjen e lokaleve dhe bareve ka filluar rifurnizimi me kafe dhe pije alkoolike. Por për sa kohë që në klubet e natës nuk funksionojnë shitjet e pijeve (alkoolike dhe joalkoolike) kompanitë shprehen se mbeten larg konsumit të planifikuar në planet vjetore.

Në mënyrë fare të qartë kjo pandemi zbuloi edhe një “ves” tjetër shoqëror të shqiptarëve që është jo vetëm frekuentimi në rritje i bareve, klubeve apo “pube”-ve por edhe konsumi i konsiderueshëm i alkoolit. Kjo për të dyja gjinitë. Sipas distributorëve, ulja e konsumit të pijeve alkoolike ka ardhur vetëm si pasojë e mbylljes së pikave që përmenden më lart, ndërsa “fama” si “pijedashës” nuk mund të mbetet në hije me rifillimin e aktivitetit të jetës së natës me të gjithë zinxhirin që përfshihet në këtë fushë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në mars, importet e pijeve alkoolike ranë me 18.6% me bazë vjetore, ndërsa në prill tkurrja u thellua, në gati 39%, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Pastërti absolute, importet arrijnë rekord historik

Kompanitë raportojnë se në këtë periudhë, shitjet më të mëdha janë për produktet e higjienës familjare dhe të kujdesit personal, për shkak të kërkesës së lartë.

Importet e preparateve larëse u rritën me 15.3% për 4-mujorin sipas INSTAT. Niveli më i lartë u shënua në prill, me një zgjerim prej 29%, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar dhe një nivel rekord të të gjitha kohërave.

Kujdesi për higjienën personale dhe familjare dhe dezifektimi i sipërfaqeve të shtëpisë apo larja e rrobave më shpesh dhe më gjatë se zakonisht janë faktorë që ndihmojnë rritjen e konsumit për detergjentët. Larja më e shpeshtë e duarve si kërkesë e situatës së krijuar gjithashtu ndihmoi në konsumin e elementëve të pastërtisë. Ky zakon i kujdesit të shtuar ka qenë në koherencë edhe me vendet e tjera, të cilat kanë patur kërkesë të lartë edhe ato në tregun e brendshëm për këtë lloj produkti.

Duke qenë se kërkesa ka qenë e lartë në të gjitha vendet ka patur edhe vështirësi në gjetje të sasive të duhura të detergjentëve dhe kjo edhe për faktin se vendet europiane të njohura për prodhimet në këtë sektor nuk kanë qenë të interesuara që të shesin me shumicë për tregun e jashtëm pasi rritja e kërkesës në tregun e brendshëm dhe shpërndraja dhe shitja përmes distributorëve të tyre në tregjet e brendshme kryesisht me pakicë, rriti çmimin dhe zvogëloi dëshirën që të kishte eksporte të jashtme.

Rreziku i stoqeve

Situata e krizës, për shkak të mungesës të tregut dhe rënieve të shitjeve, po krijon edhe te kompanitë e produkteve ushqimore problemin e krijimit të stoqeve në magazinë. (Kjo tendencë është vënë re edhe te kompanitë e mëdha të prodhimit, siç është Kurumi apo industria e fasonëve.)

Por krijimi i stoqeve te produktet ushqimore pritet të shkaktojë dëme të mëdha financiare te kompanitë, pasi shumë produkte siç është qumështi, birrat, çokollatat apo produkte të tjera kanë datë skadence. Produktet e kancelarisë po ashtu janë në rënie, pasi konsumin kryesor e kanë nxënësit dhe studentët.

Marrë me shkurtime nga Monitor