Politika “Me Ramën bën sherr dhe ndodh që pas një jave të thotë...

“Me Ramën bën sherr dhe ndodh që pas një jave të thotë që ke të drejtë”

Pandeli Majko, ministër Shteti për Diasporën, kur u pyet në emisionin “Top Talk” nga gazetari Denis Dyrnjaja nëse kryeministri Edi Rama i dëgjon socialistët gjatë diskutimeve brenda partisë, u përgjigj kështu:

“Si mendoni ju, se na ul në rresht dhe ne të gjithë i themi “Po, shef”, “Si urdhëron, shef”? Duhet ta ndryshoni këtë perceptim. Me Edi Ramën bën sherr dhe ndodh që pas një jave të thotë që ke të drejtë”.

Sakaq, Majko deklaroi se opozita është ftuar në Samitin e Diasporës, por shtoi se “duke patur parasysh edhe situatën politike, kjo më tepër do të dukej si shpëlarje”.

“Unë ndihem i shqetësuar, shpresoj që kolegët e mi opozitarë të vijnë, megjithatë mendoj që ky është një proces që nuk mbaron në dy ditët e samitit. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe aty do të vijnë njerëz që nuk votojnë për këtë apo atë parti. Ata që do të vijnë nuk votojnë dot, për shkak të vonesave tona të çuditshme nëpërmjet të cilave nuk ua kemi dhënë të drejtën e votës”, deklaroi Majko.

“Mendoj se kjo do ta nxisë diskutimin që të jetë më gjakftohtë”, shtoi Majko.